Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të ketë dy oficerë policie të vendosur në qeli pranë tij gjatë gjithë qëndrimit në burg, pas kërcënimeve të drejtpërdrejta nga një i burgosur, njoftoi ministri francez i Brendshëm, Laurent Nuñez.

Sarkozy, që udhëhoqi Francën në periudhën 2007–2012, nisi të vuajë një dënim pesëvjeçar në burgun La Santé në Paris, pasi u dënua për grumbullim të paligjshëm fondesh nga Libia për fushatën e tij presidenciale – një rënie e bujshme për një figurë të lartë politike franceze.

Kërcënimet me vdekje:
Prokuroria e Parisit ka nisur hetim pasi u përhap një video ku një i burgosur kërcënon ish-presidentin me vdekje. Tre të burgosurit janë marrë në pyetje dhe janë konfiskuar dy telefona celularë gjatë kontrollit në burg.

“Më 22 tetor 2025, prokuroria e Parisit u informua nga drejtori i burgut La Santé për një video që po qarkullonte në rrjetet sociale, filmuar qartë nga një i burgosur, ku ai bënte kërcënime ndaj Nicolas Sarkozy-së,” – njoftoi zyra e prokurorit për Reuters.

Oficerët e sigurisë do të kryejnë turne të rregullt për të garantuar mbrojtjen e ish-presidentit gjatë qëndrimit në burg, i cili mbahet në njësinë e izolimit, ku të burgosurit qëndrojnë vetëm dhe nuk kanë kontakte me të tjerët.

Vendimi ka shkaktuar reagime nga sindikatat e rojeve të burgjeve, që e konsiderojnë praninë e policëve brenda burgut si ndërhyrje të panevojshme.

Sarkozy vazhdon të mohojë çdo akuzë dhe e ka cilësuar procesin ndaj tij si politikisht të motivuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu