Aktor i njohur hollywoodian Nicolas Cage dhe regjisori legjendar John Woo do të bashkëpunojnë sërish pas gati tre dekadash, këtë herë në filmin biografik “Gambino”, një projekt i ri që sjell në ekran historinë e bos-it famëkeq të mafias italiane në SHBA, Carlo Gambino.

Cage pritet të luajë rolin e udhëheqësit të fuqishëm mafioz, i cili nga një emigrant i ri siçilian u ngrit në një nga figurat më të frikshme dhe më me ndikim në botën e krimit të organizuar në Nju Jork. Filmi zhvillohet përmes këndvështrimit të një gazetari që, pas vdekjes së papritur të Gambinos, fillon të hetojë rrjetin e tij, aleancat, armiqësitë dhe trashëgiminë e errët që la pas.

Ribashkimi Cage–Woo konsiderohet një surprizë e madhe për industrinë e filmit, duke qenë se bashkëpunimi i tyre i fundit ishte në vitin 1997 në filmin kult Face/Off. Ndryshe nga spektakli i atij filmi, “Gambino” premton një qasje më realiste dhe të zhytur në botën kriminale të viteve të arta të mafias amerikane.

Skenari vjen nga George Gallo, autor i “Midnight Run”, dhe Nick Vallelonga, fitues i Oscar-it për “Green Book”. Filmi synon të sjellë jo vetëm ngritjen e Gambinos, por edhe ndikimin e tij afatgjatë në historinë e krimit të organizuar, duke e paraqitur si një figurë komplekse mes pushtetit, frikës dhe legjendës.

Ky projekt shihet si një rikthim i madh i John Woo në filmat e rëndësishëm të Hollywood-it dhe një rol dramatik i fuqishëm për Nicolas Cage, duke e rikthyer atë në qendër të vëmendjes së skenës ndërkombëtare të filmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu