Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se dëshiron që Kina të ndihmojë në bindjen e Rusisë për të marrë pjesë në bisedime paqeje, teksa ai përpiqet t’i japë fund luftës në Ukrainë.

“Dua që Kina të na ndihmojë me Rusinë” – tha Trump nga bordi i avionit presidencial Air Force One, gjatë udhëtimit drejt Azisë, ku pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut.

Kjo deklaratë vjen në një moment të vështirë për Kievin, pasi SHBA refuzoi t’i japë Ukrainës raketa Tomahawk, Bashkimi Evropian nuk liroi fondet e ngrira ruse për mbështetjen e mbrojtjes së saj, ndërsa vendi u godit sërish nga sulme vdekjeprurëse.

Pavarësisht dëshirës së Trump, bashkëpunimi i Kinës në këtë drejtim shihet si pak i mundshëm, pasi Pekini është aleati më i ngushtë i Moskës dhe një mbështetje thelbësore për ekonominë ruse që prej vendosjes së sanksioneve perëndimore.

Trump: “Kam marrëdhënie shumë të mirë me Xi”

Në prag të takimit me presidentin kinez, Trump tha se do të diskutojë me Xi “për gjithçka”, përfshirë edhe luftën në Ukrainë.

“Do të doja të shihja Kinën të na ndihmojë me Rusinë. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Xi. Ai dëshiron të shohë përfundimin e luftës,” – deklaroi Trump.

Më herët gjatë javës, ai kishte theksuar se Xi mund të ketë “ndikim të madh te Putini”.

Trump e ka bërë përfundimin e luftës në Ukrainë një nga prioritetet e tij kryesore, megjithëse përpjekjet për një armëpushim deri më tani nuk kanë dhënë rezultat. Takimi i tij me Vladimir Putinin në gusht nuk solli asnjë progres konkret, dhe presidenti amerikan është shprehur i zhgënjyer nga qëndrimi i Moskës.

“Çdo herë që flas me Vladimirin, bisedat janë të mira, por nuk shkojnë askund,” – tha ai.

Të mërkurën, administrata Trump shpalli sanksionet e para direkte ndaj Rusisë për luftën, duke vendosur në listën e zezë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse. Kremlini reagoi duke thënë se “është imun ndaj sanksioneve”.

Aleanca e Pekinit me Moskën

Ndërkohë, marrëdhëniet e ngushta midis Rusisë dhe Kinës u shfaqën hapur muajin e kaluar, kur Vladimir Putin, Xi Jinping dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u takuan në Pekin në një demonstrim të rrallë uniteti politik dhe ushtarak.

Edhe pse Kina nuk e ka dënuar kurrë publikisht agresionin rus në Ukrainë, ajo është akuzuar nga SHBA dhe aleatët e saj se po ndihmon Moskën në mënyrë indirekte përmes blerjes së naftës ruse dhe furnizimit mujor me materiale me përdorim të dyfishtë – civil dhe ushtarak.

Lufta vazhdon në terren

Ndërkohë që Trump fluturonte drejt Azisë, Ukraina u përball me një tjetër valë sulmesh ruse. Në Kiev, disa persona humbën jetën nga goditjet, konfirmoi presidenti Volodymyr Zelensky, i cili bëri thirrje për mbështetje më të madhe ndërkombëtare.

“Asnjë vend nuk duhet të mbetet vetëm përballë një të keqeje të tillë,” – shkroi Zelensky në Telegram.

Në anën tjetër, autoritetet ruse në rajonin e Belgorodit urdhëruan evakuimin e banorëve pranë një rezervuari, pas një goditjeje ukrainase që dëmtoi digën dhe shkaktoi rrezik përmbytjeje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu