
Tuneli i Llogarasë nuk do të jetë më falas. Brenda këtij muaji pritet të nisë zyrtarisht aplikimi i tarifave për çdo mjet që kalon në këtë aks të rëndësishëm.
Autoritetet kanë përfunduar pothuajse të gjitha përgatitjet, ndërsa janë kryer edhe testet e fundit për sistemin elektronik të pagesës dhe kamerat e sigurisë.
Sipas të dhënave, tarifat do të variojnë nga 100 lekë për motoçikletat, deri në 5 mijë lekë për mjetet e tonazhit të rëndë.
Për makinat e zakonshme, tarifa do të jetë 250 lekë për një kalim, ose 500 lekë vajtje-ardhje.
Ndërsa për mjete me karroceri tarifa arrin në 500 lekë, dhe për furgonë apo autobusë deri në 1000 lekë.
Vendosja e pagesës pritet të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët dhe turistët që përdorin këtë rrugë drejt jugut, duke i dhënë fund periudhës së kalimit pa pagesë.






