Një ngjarje shqetësuese është raportuar në Plazhin e Vjetër, ku janë gjetur dhjetëra shpendë të ngordhur, përfshirë lejlekë dhe specie të tjera të faunës së egër. Kjo situatë ka ngritur alarmin për shëndetin publik dhe atë mjedisor, duke shqetësuar qytetarët që frekuentojnë zonën për ecje dhe aktivitete sportive.
Shkaku i ngordhjes së këtyre shpendëve mbetet ende i paqartë. Dyshohet se ngjarja mund të jetë pasojë e gripit të shpendëve. Megjithatë, hipotezat kryesore përfshijnë gjithashtu ndotjen mjedisore dhe faktorë të tjerë të lidhur me ndërhyrjet njerëzore në ekosistem.
Ndotja mjedisore, një faktor i mundshëm
Një nga problemet kryesore që po diskutohet në lidhje me këtë incident është ndotja mjedisore e zonës. Plazhi i Vjetër, i njohur për praninë e anijeve gjeneratore Tigri1 dhe Tigri2, është shpesh një pikë ku raportohen nivele të larta ndotjeje nga mbetjet industriale dhe derdhjet në det. Këto anije kanë shkaktuar polemika të mëdha për ndikimin e tyre në mjedis, duke përfshirë shkarkimin e mbetjeve të rënda në ujëra, të cilat dëmtojnë jo vetëm faunën detare, por edhe shpendët që varen nga kjo zonë për ushqim.
Për më tepër, zonat pranë Plazhit të Vjetër janë ndikuar nga prurjet e ujërave të ndotura dhe mbeturinat urbane, të cilat kontribuojnë në degradimin e cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës. Ndotja kimike mund të jetë një nga arsyet kryesore të ngordhjes masive të shpendëve, duke shkaktuar helmim të drejtpërdrejtë ose përmes zinxhirit ushqimor.
Frika nga përhapja e sëmundjeve
Përveç ndotjes, gripi i shpendëve është një tjetër shqetësim madhor. Kjo sëmundje virale është shumë ngjitëse mes shpendëve dhe në raste të rralla mund të kalojë edhe tek njerëzit. Në këtë rast nisur menjëherë dezinfektimi i zonës dhe shmangia e kontaktit me shpendët e ngordhur.
© SYRI.net