
Në ndër të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe poetit të shquar Xhevahir Spahiu, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë është çelur ekspozita me titull “Ngjyrat e fjalës së Xhevahir Spahiut”.
Fjalën e hapjes në këtë aktivitet, e mbajti drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, i cili vlerësoi kontributin e Xhevahir Spahiut në poezinë shqipe, qofshin krijime të tij, apo përkthime e redaktime.
Shkrimtari Besnik Mustafaj ndau me të ftuarit kujtimet e tij vetjake me poetin, ndërsa prof. Bashkim Kuçuku ofroi një panoramë kritike të poetikës së Xhevahir Spahiut në kontekstin historik të krijimtarisë së tij.
Pas çeljes së ekspozitës, të ftuarit patën mundësinë të shohin nga afër krijimtarinë e shkrimtarit të botuar në libra dhe periodikët e kohës, qysh prej vitit 1963.
Tashmë, pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë janë dhe librat që autori i dhuroi me mbishkrimin e tij, një thesar i shtuar i këtij institucioni./atsh