Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, nuk e ka lënë pa koment një episod të vogël, por simbolik, që ndodhi sot në Vlorë: Adriatik Lapaj, kryetari i lëvizjes qytetare “Shqipëria Bëhet” dhe një nga figurat që po paraqitet si “fytyrë e re” në këto zgjedhje, bleu te një tregtare ambulante, por pagesën, siç duket nga pamjet që u transmetuan live në Facebook-un e tij, nuk e bëri vetë.

Në një postim thumbues në rrjetet sociale, Balla e krahasoi Lapajn me ish-kreun e PD-së, Lulzim Bashën, duke nënkuptuar se “Shqipëria Bëhet” është thjesht një kopje e vjetër në ambalazh të ri.

“Ngjajnë si dy pika uji. I ka mësuar babi buf, njëlloj. Nuk mbajnë para në xhep, ua paguajnë… Nejse, ju bëftë mirë se do rriteni, jeni të rinjtë,” shkruan ai me humor therës përbri videos krahasuese mes Lapajt, që blen lakra të egra për byrek në rrugët e Vlorës, dhe Drejtuesit Politik të Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Bashës, në një byrektore.

Për Ballën kjo video vlen sa një mijë mesazhe, qartë dhe saktë: ata që sot shesin veten si alternativa të reja, janë në fakt të lidhur me të vjetrën, ose më keq akoma, e imitojnë atë.

Në fjalimet e kësaj fushate, Balla i ka kritikuar partitë e reja si mungesë alternative dhe riciklim politik. Në një fushatë ku ironia, thumbat dhe batutat kanë pothuajse po aq peshë sa programet, këto episode të vogla shndërrohen në armë politike.

Ndaj mesazhi i Ballës për votuesit është: Kujdes kujt i besoni!

Sepse, siç e deklaroi edhe në një fjalim së fundi teksa fliste për Lapajn dhe kandidaturën e tij të dështuar në 2013-ën me Aleancën Kuqezi, “Dashi që del një herë në pazar e nuk shitet, nuk blihet më”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu