
Në një përpjekje për të dalë nga ngërçi institucional që ka përfshirë Kosovën pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbledhur sot në Kuvend përfaqësuesit e partive parlamentare. Takimi është thirrur me synimin për të arritur konsensus për konstituimin e Kuvendit, një proces që ka dështuar për 38 herë që nga nisja e tij më 15 prill.
Në takim po marrin pjesë figura të rëndësishme politike, përfshirë kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi; atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku; të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj; përfaqësuesen e AAK-së, Time Kadriaj; si dhe përfaqësues nga partitë e komuniteteve pakicë, si Emilja Rexhepi (Partia e Re Demokratike), Albert Kinolli (Partia Rome e Bashkuar), dhe Fikrim Damka (Partia Demokratike Turke e Kosovës).
“Ta shohim kush po vjen, si po ecën, e mandej shpresoj të kemi çfarë të themi,” u shpreh shkurtimisht Kurti para gazetarëve teksa hynte në ambientet e Kuvendit.
Takimi po mbahet një ditë para seancës së radhës për përpjekjen e 39-të për konstituimin e Kuvendit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i datës 26 qershor, përcakton një afat 30-ditor për përfundimin e këtij procesi, duke e konsideruar dështimin aktual si në kundërshtim me Kushtetutën.
Kurti, përmes një postimi të mëhershëm, e ka cilësuar këtë takim si një përpjekje të re për të gjetur pajtimin mes forcave politike, duke kujtuar se përgjegjësia për konstituimin nuk bie vetëm mbi partinë fituese, por mbi të gjithë deputetët.
Zhvillimet e sotme pritet të jenë vendimtare për tejkalimin e krizës institucionale që ka bllokuar funksionimin e rregullt të institucioneve të Kosovës për më shumë se dy muaj.