Tiranë – Në kohën e regjimit komunist, Shqipëria jetonte nën hijen e paranojës së një lufte që nuk erdhi kurrë.
Në çdo lagje, nën çdo pallat, u ngritën vendstrehime — dhoma betoni të ftohta, të ndërtuara për t’u mbrojtur nga “armiqtë imagjinarë” të sistemit. Si dikur transhetë e frontit, edhe këto bunkere urbane u bënë simbol i frikës dhe izolimit që pushteti ushqente për të mbajtur nën kontroll popullin.

Sot, dekada më vonë, ato vendstrehime janë kthyer në plagë të hapura në zemër të qytetit: hyrje të mbuluara me mbeturina, ambiente të braktisura që shpesh janë shndërruar në strehë për ndotje, narkomanët dhe rreziqe të ndryshme.
Por sipas premtimeve elektorale, ka ardhur koha që ky realitet i zymtë të marrë fund.

Një ndër drejtuesit politikë të PS për fushatën në Njësinë 5 në Tiranë, Taulant Balla, tha se është koha për zgjidhje:

“Me Bashkinë Tiranë, Ogerta Manastirliun dhe me Ministrinë e Mbrojtjes do t’i japim një zgjidhje përfundimtare hyrjeve të vend-strehimeve, të cilat janë kthyer në një shqetësim të madh për banorët, si vend depozitimi mbetjesh apo dhe më keq akoma.” – shkruan Balla në një postim në rrjete sociale.

Nisma vjen në një kohë kur, përtej kujtesës historike, edhe “erërat e reja të luftës që fryjnë nga Lindja” kanë ringjallur interesin për konceptin e mbrojtjes civile.
Por këtë herë, jo më për t’u fshehur nga armiqtë, por për të rigjallëruar hapësira urbane që mund të shndërrohen në ambiente komunitare, depo emergjence apo qendra ndihme.

Njësinë 5, një nga zonat më të dendura dhe me histori të gjatë urbane, Balla po e shfrytëzon këtë temë për të ndërthurur kujtesën me të ardhmen — duke e kthyer një simbol të frikës në një hapësirë të dobishme për qytetarët.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu