Një operacion i SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit ka goditur këtë të shtunë një nga grupet kriminale më të fuqishme në Vlorë, të drejtuar nga Ines Hajrulla.

Mes tetë urdhër-arresteve të lëshuara në kuadër të operacionit ndodhet edhe Rezart Kuçi, ish-shef i krimeve në Vlorë, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”, “trafik të lëndëve narkotike” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Sipas SPAK, Kuçi dyshohet se ka përdorur funksionin e tij si oficer policie për të ndihmuar aktivitetin kriminal të grupit. Hetimet kanë zbuluar se ai siguronte logjistikë për transportin e drogës, nxirrte informacione konfidenciale për kontrollet policore dhe ndërhynte në pajisje celulare për të fshirë të dhëna me interes për hetimin.

Po ashtu, ai dyshohet se ka përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS, duke siguruar informacion për personat e përfshirë në aktivitet kriminal, ndërsa komunikimet me anëtarët e grupit dyshohet se i kryente përmes aplikacionit të koduar SKYECC.

Ironikisht, vetëm një vit më parë Rezart Kuçi ishte vlerësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me certifikatë për “Shërbime të Dalluara”. Tashmë ai pritet të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu