INSTAT ka publikuar sot të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023. Ky është censi i tretë i kryer në Shqipëri, prej nga viti 1990, dhe i dymbëdhjeti në historinë e censeve në vend, prej vitit 1913.
Të dhënat treguan një tkurrje prej gati 14% të popullsisë, rritje të moshës mediane në 42.5 vjeç. Ndërsa madhësia e një familjeje është reduktuar, në 3.2 anëtarë, nga 3.9 në 2011.
Gjetjet kryesore janë:
-Popullsia banuese në Republikën e Shqipërisë më 18 shtator 2023 rezultoi 2.402.113, me rënie prej 420 mijë persona, krahasuar me Censin e 2011. Popullsia banuese në Shqipëri, sipas numërimit në momentin e censit – mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023 rezulton 2,402,113, prej të cilëve, 49,6 për qind janë meshkuj dhe 50,4 për qind femra. Referuar Censit të Popullsisë dhe Banesave 2011, popullsia banuese në Shqipëri ishte 2.821.977, me një rënie prej 420 mijë banorë. Kjo rënie përshtatet me trendin e vërejtur gjatë tre dekadave të fundit, që prej Censit të vitit 1989. Numri i lindjeve ka ardhur në rënie, nga 53 mijë në vitin 2001 në 34 mijë në vitin 2011, ndërsa, numri i vdekjeve në këtë periudhë mbeti në nivele të qëndrueshme, rreth 20 mijë vdekje në vit, duke rezultuar me një shtesë natyrore pozitive.
Gjithashtu, referuar periudhës 2011-2023, popullsia e Shqipërisë karakterizohej nga një shtesë natyrore pozitive deri në vitin 2020, dhe në 2021 mbas pandemisë COVID-19, numri i vdekjeve tejkaloi numrin e lindjeve. Për vitin 2023, nga të dhënat administrative rezultuan rreth 24 mijë lindje dhe 22 mijë vdekje, duke shënuar rikthim në shtesën natyrore pozitive.
- Dendësia e popullsisë së Shqipërisë është 83,6 banorë për km2.
- Rënia e popullsisë ndjek trendin e konstatuar prej vitit 1990, i cili vjen si fenomen i emigracionit.
- Raporti gjinor i popullsisë rezulton 98,2 meshkuj për 100 femra.
- Pesë në gjashtë persona të moshës njëqind vjeçare në Shqipëri janë gra. Përafërsisht, një e treta e popullsisë shqiptare (31,6 për qind) banon në qarkun e Tiranës.
Statusi martesor
- Shumica e popullsisë prej 54,9 për qind rezulton e martuar, 36.6 për qind beqar, ndërsa 7,0 për qind e popullsisë i/e ve dhe 1,4 për qind të divorcuar ose të ndarë. Deri në moshën 30 vjeç, përqindja e individëve beqar është më e lartë. Pas moshës 30 deri në 85 vjeç, rritet përqindja e personave të martuar, duke arritur pikun me rreth 88 për qind në grupmoshën 45-64 vjeç. Pas moshës 65 vjeç e lart, përqindja e individëve të ve, ka një rritje të konsiderueshme. Nga analiza e statusit martesor sipas gjinisë, vihet re se shumica e popullsisë së ve janë femra (82,3 për qind), për shkak të jetëgjatësisë më të lartë dhe diferencës së moshës midis bashkëshortëve (Figura 2.8). Gjithashtu, referuar popullsisë së divorcuar ose të ndarë, femrat zënë 58,9 për qind, ndërsa në popullsinë që nuk është martuar kurrë (beqare), 55,7 për qind janë meshkuj, përqindje kjo më e lartë dhe për shkak të moshës më të vonshme mesatare të martesës së tyre. Një barazi gjinore mund të vërehet për popullsinë e martuar. Megjithatë, nga analizimi i shpërndarjes gjinore dhe moshore të popullsisë së martuar, vihet re një përqindje më e lartë e femrave në grupmoshat më të reja, për shkak të moshës më të hershme të martesës së tyre
- Midis popullsisë së ve, 82,3 për qind janë gra.
-Mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë sipas regjistrimit të popullsisë dhe të banesave në vitin 2023 është 42.5 vjeç, nga 35.3 vjeç në Censusin e vitit 2011.
Migracioni
- Nga popullsia banuese gjithsej, 99,4 për qind kanë shtetësi shqiptare.
- Nga popullsia banuese gjithsej, 98,3 për qind janë të lindur në Shqipëri.
- Midis atyre të lindur jashtë vendit, afërsisht gjysma (46.2 për qind) kishin lindur në Greqi dhe 16.6 për qind në Itali.
Alfabetizmi dhe arsimi
- Shkalla e alfabetizmit për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart është 97,7 për qind. Në Shqipëri, shkalla e analfabetizmit për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart është 2,3 përqind. Në personat e moshës 70 vjeç e lart vihet re se shkalla e analfabetizmit është më e lartë, duke u vlerësuar në masën 7,6 përqind.
Të dhënat e censit tregojnë se 96,8 për qind e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar ose janë duke ndjekur shkollën, 97,2 për qind meshkuj dhe 96,4 për qind femra. Përqindja e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart që nuk ka ndjekur asnjëherë shkollën ka rënë nga 4,1 për qind në Censin e vitit 2011 në 3,2 për qind në Censin e vitit 2023. Më shumë se gjysma (55,0 për qind) e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar arsimin e mesëm ose arsimin e lartë. Për popullsitë përkatëse meshkuj dhe femra, kjo shifër është 57,9 për qind dhe 52,1 për qind. 38,8 për qind e popullsisë 15 vjeç e lart ka përfunduar arsimin e mesëm të ulët, dhe 34,8 për qind kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, i konsideruar dhe si niveli minimal që ndihmon individët të kenë një pjesëmarrje të plotë në shoqëri dhe për të jetuar një jetë të plotë. Rreth 0,6 për qind e popullsisë 15 vjeç e lart nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor.
- Të dhënat e Censit tregojnë se 96,8 për qind e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar ose janë duke ndjekur shkollën.
- Përqindja e femrave me arsim të lartë ka ardhur vazhdimisht në rritje, nga 41,1 për qind në Censin e 2001 në 51,0 në Censin e 2011 dhe 55,7 për qind në Censin e 2023.
Aftësia e kufizuar
- Prevalenca e aftësisë së kufizuar në popullsinë 5 vjeç e lart është 6,5 për qind.
- Prevalenca e aftësisë së kufizuar është më e lartë tek femrat (7,2 për qind) krahasuar me meshkujt (5,9 për qind).
- Nga popullsia me aftësi të kufizuar, 59,5 për qind janë të moshës 65 vjeç e lart.
- Lloji më i zakonshëm i kufizimit bazë të funksionimit i vlerësuar në Cens është vështirësia në ‘Ecje ose ngjitje të shkallëve’ (4,3 për qind) dhe në ‘Shikim’ (2,3 për qind).Njësitë Ekonomike Familjare dhe banesat
- Numri gjithsej i NjEF është 755.950, rritur me 4,7 përqind, krahasuar me Censin 2011.
- Madhësia mesatare e NjEF është 3,2 anëtarë, krahasuar me 3,9 anëtarë për NjEF në Censin e 2011.
- Rreth një në katër NjEF – 24,3 përqind – kanë si person reference grua, personi i cili përgjithësisht merr vendimet kryesore në NjEF dhe njihet si i tillë nga të gjithë anëtarët e saj.
- Shumica e NjEF me 82,5 përqind janë pronarë të banesës ku jetojnë.
- 11,4 përqind e NjEF zotërojnë panele diellore, 8,7 pikë përqindje më shumë, krahasuar me Censin 2011.
- Përqindja e banesave të zakonshme të pabanuara është 32,9 përqind.
Familjet
Pjesa më e madhe e popullsisë, 88,1 për qind jetonin në NjEF me përbërje tradicionale të bërthamave familjare 9 (fëmijë, bashkëshort, bashkëjetues dhe prindër). Nga pjesa tjetër e popullsisë (11,9 për qind), 7,6 për qind e tyre deklaruan se nuk kishin lidhje familjare dhe 4,3 për qind e popullsisë jetonin vetëm. Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5 për qind e tyre ishin 60 vjeç e lart.
Bërthamat familjare më të shpeshta përbëheshin nga çifte të martuara ose bashkëjetues me fëmijë, 52,2 për qind, e ndjekur nga çifte të martuara ose bashkëjetues pa fëmijë, 37,5 për qind, ndërkaq prindërit e vetëm me fëmijë përbënin vetëm 10,3 për qind të tyre.
Pronësia, pajisjet afatgjata dhe shërbimet
Shumica e NjEF private (82,5 për qind) janë pronarë të banesës ku jetojnë ose janë në proces të marrjes së aktit ligjor të pronësisë. NjEF që jetojnë në banesa me qira përbënin 8,8 për qind të NjEF gjithsej dhe 8,7 për qind me marrëveshje tjetër banimi të pronësisë.
NjEF në Shqipëri zotërojnë më së shumti pajisje afatgjata kryesore si: televizorë, frigoriferë, telefon celular dhe lavatriçe, të paktën nga 96 për qind e NjEF (Figura 3.3). Pjesa më e madhe e NjEF, më shumë se 74 për qind kanë sistem fizik të lidhjes së internetit10
- Qasja në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit është rritur ndjeshëm që nga censi i kaluar. Zotërimi i televizorëve (5,6, pikë përqindje), TV dekoder (55,9 pikë përqindje), kompjuter ose laptop (8,3 pikë përqindje) dhe telefon celularë (9,4 pikë përqindje). Lidhja fizike e linjës së internetit ka shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me censin e mëparshëm, me 62,2 pikë përqindje. Ndërsa, zotërimi i telefonit fiks ka rënie të konsiderueshme, nga 28,5 për qind në 8,5 për qind të NjEF./Monitor