
Shqipëria po përjeton një bum turistik dhe njëkohësisht po ngjitet shpejt në hartën e biznesit ndërkombëtar, veçanërisht në industrinë e Business Process Outsourcing (BPO). Sipas të dhënave të Google Trends, kërkimet për “Holidays in Albania” u rritën me 387% nga korriku 2022 në korrik 2024, duke reflektuar një interes në rritje të shpejtë për vendin shkruan customerthink.com.
“Business Process Outsourcing (BPO)” është “Nënkontraktimi i proceseve të biznesit” ose më shkurt “Outsourcing i proceseve të biznesit”.
Në praktikë, do të thotë kur një kompani ia delegon një pjesë të veprimtarive të saj (si shërbimi ndaj klientit, financa, IT, etj.) një kompanie tjetër të specializuar, zakonisht për të ulur kostot dhe për të përmirësuar efikasitetin.
Ky vëmendje nuk vjen vetëm nga turistët. Kompanitë e mëdha të BPO kanë qenë aktive në Shqipëri prej vitesh, por pa e theksuar shumë, duke e përfshirë vendin në kategorinë e përgjithshme të shërbimeve nga “Evropa Lindore”. Sot, panorama ka ndryshuar.
Shqipëria ka një avantazh të madh demografik: rreth 25% e popullsisë është e re (15-29 vjeç) dhe 64% e tyre ndjekin studime universitare – shumë më lart se mesatarja e vendeve të tjera evropiane. Shumë të rinj kanë përvojë pune jashtë vendit dhe flasin disa gjuhë të huaja, gjë që e bën tregun e punës veçanërisht tërheqës për kompanitë që kërkojnë shërbime shumëgjuhëshe.
Pozicioni gjeografik është gjithashtu një pikë e fortë: Tirana është vetëm 3 orë nga Londra dhe 2 orë nga Frankfurti, duke ofruar lidhje të shpejta e të lehta me tregjet kryesore evropiane. Në krahasim me destinacione të tjera të BPO si Afrika e Jugut, India apo Filipinet, Shqipëria ofron kosto konkurruese dhe afërsi fizike që lejon takime “ditë-për-ditë” me partnerët.
Ndërsa turizmi po zhvillohet me investime të mëdha – përfshirë projektin e Jared Kushner për kthimin e ishullit të Sazanit në resort luksoz – rritja e qetë e sektorit të BPO po krijon mundësi të reja punësimi dhe po ndihmon në kthimin e talenteve të larguara.
Me një treg të ri, të edukuar dhe në prag të anëtarësimit në BE, Shqipëria po kthehet në një histori suksesi jo vetëm për pushime, por edhe për biznes.