
Ministri i Shtetit dhe Drejtuesi Politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla, ka ndarë një tjetër histori frymëzuese të një shqiptari të larguar nga vendi në vitet e vështira, i cili sot kthehet për të investuar në atdhe.
Fatmir Shtjefni, i cili u largua nga Shqipëria në vitin 1997 me gomone drejt Italisë, ka ndërtuar prej vitesh një karrierë të suksesshme në Venecia, së bashku me bashkëshorten e tij, Rezin.
Sot, ata shkëlqejnë në botën e sipërmarrjes, ndërsa investimi i tyre më i fundit është hoteli boutique “Mon Café” në Tiranë—një hapësirë që synon të sjellë një eksperiencë të rafinuar mikpritjeje në kryeqytetin shqiptar.
Balla e ka cilësuar këtë histori si një shembull të jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare, e cila jo vetëm ka arritur sukses jashtë vendit, por po rikthehet për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.
“Fatmiri dhe Rezi janë një dëshmi e qartë se çdo sfidë e jetës mund të kthehet në një histori suksesi, kur mbështetet në punë, përkushtim dhe dashuri për vendin,” shkruan Balla.
Qeveria shqiptare po nxit investimet e diasporës duke krijuar lehtësira edhe për zonat më të largëta siç është Paketa e Maleve, nisma ligjore e miratuar së fundi që heq burokracitë e investimit në vendlindje.