
E Ngarkuara me Punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn, ka zhvilluar një seri takimesh me anëtarët e kabinetit e rinj të kabinetit qeveritar, duke rikonfirmuar angazhimin për bashkëpunim mes dy vendeve. Në këto takime kanë marrë pjesë zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe disa ministra të rëndësishëm, përfshirë Ermal Nufin, Ferit Hoxhën, Enea Karakaçin, Toni Gogun, Besfort Lamallarin dhe Erjona Ismailin.
Sipas Ambasadës Amerikane, në fokus të diskutimeve kanë qenë prioritetet e administratës amerikane, si lufta kundër krimit të organizuar dhe karteleve kriminale, rritja e kontributit të vendeve të NATO-s në mbrojtje, si dhe krijimi i kushteve të drejta për kompanitë amerikane që operojnë në Shqipëri. Në njoftim theksohet se ky bashkëpunim synon arritjen e rezultateve konkrete për qytetarët e të dy vendeve.
Ambasada nënvizon se marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë mbeten të forta dhe do të vijojnë të zhvillohen në fusha kyçe si siguria, ekonomia dhe sundimi i ligjit, duke reflektuar partneritetin strategjik mes dy vendeve.



