
Një sasi prej gjysmë ton të drogës KHAT u sekuestrua në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës “Eleftherios Venizelos”, gjatë një kontrolli të rastësishëm nga inspektorët e Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike.
Sipas mediave greke, substanca narkotike ishte fshehur në katër ngarkesa të deklaruara si perde, çarçafë dhe pëlhura, të nisura nga Izraeli dhe me destinacion përfundimtar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas kontrollit, autoritetet doganore zbuluan pakot me gjethet e thata të KHAT-it dhe sekuestruan një sasi totale prej 500 kilogramësh, me vlerë tregu rreth 1.5 milionë euro.
Kjo konsiderohet si sasia më e madhe e kësaj droge të veçantë e kapur ndonjëherë në Greqi. Deri më tani, rekordi i mëparshëm ishte në vitin 2014 me 458 kg, ndërsa kapja e fundit e dokumentuar ndodhi në vitin 2022 me 34 kg.
KHAT, e njohur edhe si “koka natyrale”, është një substancë psikotrope që shkakton varësi, e nxjerrë nga bima Catha Edulis. Ajo kultivohet kryesisht në Bririn e Afrikës, Gadishullin Arabik Jugor dhe përgjatë bregdetit të Afrikës Lindore. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar rrjetin e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kësaj droge.