
Tiranë, 20 qershor 2025 – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Posaçëm kundër Dezinformimit, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Europiane draft-strategjinë kombëtare 2025–2030 kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, si dhe udhërrëfyesin për zbatimin e saj.
Braçe theksoi se strategjia synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ligjore për të parandaluar dhe luftuar ndërhyrjet e huaja që cenojnë proceset demokratike, sigurinë kombëtare, stabilitetin politik dhe ekonominë, veçanërisht në sektorët strategjikë.
“Shqipëria nuk është imune ndaj ndërhyrjeve hibride që minojnë besimin në institucionet kushtetuese dhe integritetin e zgjedhjeve. Jemi të ekspozuar për shkak të pozicionit tonë gjeopolitik dhe tranzicionit të gjatë institucional,” u shpreh Braçe.
Ai vuri theksin te siguria kibernetike, si një nga sfidat më të mëdha të kohës, duke theksuar se në vitin 2023, në rajonin e Ballkanit Perëndimor pati një rritje me 40% të incidenteve të raportuara dhe ekspozim të mbi 1.2 milionë të dhënave personale.
“Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, të nisura që nga viti 2022, kanë pasur qëllime politike dhe gjeostrategjike. Aktorë shtetërorë iranianë janë identifikuar si përgjegjës për sulmet që goditën infrastrukturën kritike të vendit,” deklaroi ai.
Braçe shtoi se strategjia e re është ndërtuar mbi modelet më të mira ndërkombëtare, në përputhje me standardet europiane dhe euroatlantike. Ajo synon ndërtimin e një qasjeje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse në përballjen me kërcënimet hibride, përmes:
- Forcimit të mbrojtjes së proceseve zgjedhore dhe monitorimit të financimeve politike;
- Përforcimit të kapaciteteve të institucioneve të sigurisë për të identifikuar dhe neutralizuar ndikimet e huaja;
- Mbrojtjes së ekonomisë kombëtare dhe sektorëve kritikë nga depërtimi i investimeve të dyshimta;
- Promovimit të lirisë së medias dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik për dezinformimin.
Ai nënvizoi se gjatë periudhës qershor 2024 – mars 2025, komisioni zhvilloi takime me ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të institucioneve publike për të ndërtuar një dokument analitik mbi gjendjen aktuale të dezinformimit, i cili shërbeu si bazë për hartimin e strategjisë.
“Qasja e re synon të ndërtojë qëndrueshmëri institucionale dhe shoqërore, për t’i bërë institucionet më rezistente dhe qytetarët më të informuar,” përfundoi Braçe.
Drafti i strategjisë pritet të kalojë në diskutime të mëtejshme në Kuvend dhe të shërbejë si një platformë afatgjatë për përballjen me ndërhyrjet hibride dhe sulmet ndaj demokracisë shqiptare.