Roma po përgatitet për një nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj fetare dhe historike: nesër, më 7 maj, 133 kardinalët elektorë do të mblidhen në Kapelën Sistine për të nisur Konklavën që do të zgjedhë Papën e ri. Pas thirrjes tradicionale «extra omnes»– që përkthehet «jashtë të gjithë»– dyert e kapelës do të mbyllen dhe procesi i votimit do të nisë deri sa të shqiptohet “Habemus Papam” pra kemi një papë.

Sipas parashikimeve, në mbrëmje pritet të dalë tymi i parë nga oxhaku i Kapelës Sistine, por me shumë gjasë ai do të jetë i zi: kurrë më parë një Papë nuk është zgjedhur që në raundin e parë.

Procesi i votimit ndjek një orar të rreptë: çdo ditë zhvillohen dy sesione votimi. Paradite, vota e parë mbahet rreth orës 10:30 dhe, nëse nuk zgjidhet Papë, tymi i zi del rreth orës 12. Pasdite, vota e parë fillon në 17:30 dhe, nëse asnjë kandidat nuk arrin shumicën, tymi del rreth orës 19. Në rast se një Papë zgjidhet gjatë ndonjë prej votimeve, tymi i bardhë mund të shfaqet menjëherë pas numërimit të votave, pra edhe në 10:30 ose 17:30.

Papati më i shpejtë në histori mbetet ai i Pio XII, i cili u ngjit në fronin papnor në vitin 1939, pas vetëm tre raundesh votimi.

Kardinalët kanë mbërritur në Romë që të hënën, ndërsa sot është mbajtur Kongregacioni i fundit i përgjithshëm para votimit. Sipas burimeve pranë Selisë së Shenjtë, kriteri udhëheqës që po i frymëzon zgjedhësit është gjetja e një Pape që të jetë simbol bashkimi për një botë të ndarë dhe të përçarë. Ky do të jetë Papa i 267-të në historinë e Kishës Katolike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu