
Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion të suksesshëm në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke bërë të mundur ekstradimin e tre shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar,Nga Dubai në Tiranë: Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, të dyshuar për lidhje me bandat e Elbasanit .
Të tre personat ishin kapur disa javë më parë nga Policia e Dubait, si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Interpolit. Ekstradimi i tyre u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, si fryt i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit.
Personat e ekstraduar janë:
E. D., 38 vjeç, ndaj të cilit GjKKO ka caktuar masën “arrest në burg” për veprat penale: “Vrasja me paramendim” (në tentativë), “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
M. K., 39 vjeç, i akuzuar për “Vrasje me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, si dhe për të njëjtat vepra penale si E. D., në kuadër të të njëjtit grup kriminal.
A. Xh., 40 vjeç, i cili akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit”, e kryer brenda një strukture kriminale.
Të tre të arrestuarit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në Shqipëri, ku do të përballen me drejtësinë për akuzat e rënda që rëndojnë mbi ta.
Policia e Shtetit konfirmon se do të vijojë me vendosmëri bashkëpunimin ndërkombëtar për të sjellë para drejtësisë të gjithë shtetasit shqiptarë që i shmangen ndëshkimit ligjor.
—