
Një histori e rëndë dhune ndaj kafshëve, e regjistruar në lagjen Kiras të Shkodrës, ka marrë një kthesë të papritur, duke e zhvendosur vëmendjen nga mizoria njerëzore te përgjegjësia shoqërore dhe roli i figurave publike.
Në fund të verës, një qenush u gjet i rrahur barbarisht, i futur në një qese plastike bashkë me pula të ngordhura dhe i hedhur pranë një kazani mbeturinash. Sipas informacioneve paraprake, kafsha dyshohet se kishte sulmuar pulat e pronarit, i cili zgjodhi një akt ekstrem dhune për ta “ndëshkuar”.
Qenushja u gjet ende gjallë nga vullnetarët e organizatës “Animals Need Me” në Shkodër, të cilët reaguan menjëherë duke e transportuar drejt një klinike veterinare për ndihmë të parë. Më pas, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ajo u transferua në Tiranë për trajtim të specializuar, ku në ndjekjen e përditshme u përfshi edhe Paola Sula, vajza e politikanit Dashnor Sula. Qenushja, e quajtur Victoria, përveç trajtimit mjekësor, nisi të përballej edhe me një realitet të ri: kontakt njerëzor pa dhunë dhe agresion.
Fillimisht, Victoria u mbajt në strehim të përkohshëm nga Paola Sula, por me kalimin e kohës, sipas burimeve pranë familjes, vendimi për adoptim u mor nga vetë Dashnor Sula. Politkani e bëri qenushen pjesë të familjes së tij, duke marrë përgjegjësinë e plotë për kujdesin dhe mirëqenien e saj.
Sot, Victoria jeton në një mjedis të sigurt, larg dhunës, ndërsa rasti i saj ka rihapur debatin mbi dhunën ndaj kafshëve në Shqipëri dhe mungesën e reagimit institucional për raste të tilla. Njëkohësisht, historia ka rikthyer në vëmendje rolin që figurat publike mund të luajnë, jo vetëm në politikë, por edhe në dërgimin e mesazheve shoqërore përmes veprimeve konkrete.
Nga një qese plehrash në Shkodër, te një familje në Tiranë, rasti i Victorias mbetet dëshmi se reagimi njerëzor, në zinxhir, mund të ndryshojë fatin e një jete – dhe ndonjëherë, edhe mënyrën si shoqëria zgjedh të shohë veten.






