
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri për të forcuar kontrollin ndaj peshkimit të paligjshëm, të parregulluar dhe të paraportuar (i njohur si peshkimi PPP). Vendimi përcakton një sërë masash inspektimi dhe mekanizmash digjitalë për gjurmimin e origjinës së produkteve të peshkimit, duke synuar ruajtjen e burimeve detare dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian.
Sipas dokumentit, çdo aktivitet peshkimi në ujërat shqiptare dhe jashtë tyre do t’i nënshtrohet një skeme të re certifikimi, përmes së cilës çdo ngarkesë peshku, përpara eksportit apo importit, duhet të shoqërohet me një certifikatë zënieje. Kjo certifikatë lëshohet nga inspektoratet përgjegjëse për peshkimin dhe vërteton se produktet janë përfituar në përputhje me rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të kësaj reforme, Shqipëria do të përdorë sistemin evropian “CATCH”, një platformë digjitale për shkëmbimin e informacionit mbi importet, eksportet dhe kontrollet e produkteve të peshkimit. Ky sistem do të garantojë transparencë dhe do të parandalojë futjen në treg të produkteve të kapura në mënyrë të paligjshme.
Për herë të parë parashikohen dhe masa ndëshkimore të qarta, përfshirë ndalimin e hyrjes në port të anijeve që shkelin ligjin, konfiskimin e produkteve, dhe në rastet më të rënda, asgjësimin e tyre. Qeveria thekson se çdo rast shkeljeje do të hetohet në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare dhe Komisionin Evropian.
Ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përputhjes së legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së, si dhe në mbrojtjen e burimeve detare nga shfrytëzimi i tepërt dhe abuziv.







