
Shembja e rrugës Librazhd–Përrenjas dhe izolimi i juglindjes nuk ka sjellë vetëm kaos në qarkullim, por edhe rritje të menjëhershme të çmimit të biletave të transportit drejt Tiranës.
Qytetarët shprehen të revoltuar, pasi nga 700 lekë të reja që paguanin më parë për një udhëtim, tashmë çmimi ka shkuar në 1000 lekë të reja për biletë.
“Thonë do jetë 10 mijë lekë. Më parë ishte 7. Për dy persona duhet të paguaj 20. Rriten çmimet, rrugët nuk bëhen. Aq sa ka vjedhur kjo qeveri nuk është vjedhur ndonjëherë kombi”, u shpreh një qytetar i indinjuar, duke shtuar: “Ne na merrni, merrni atë që e shikon urën me helikopter”.
Një tjetër banor ngriti shqetësimin për vështirësitë ekonomike: “Ne nuk na pyet njeri. Nuk dimë çfarë do bëhet. Me 70 mijë lekë pension nuk kemi si t’ia dalim”.
Pas bllokimit të aksit, fugonat që lidhin juglindjen me kryeqytetin janë detyruar të devijojnë itinerarin përmes segmentit Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh. Ky devijim ka zgjatur ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe ka rritur kostot operative, pasi segmenti është më i ngushtë, me shumë kthesa dhe në gjendje të amortizuar.
Frika e qytetarëve është se rritja e çmimeve mund të mos jetë e përkohshme, ndërsa izolimi i zonës vijon të prodhojë pasoja ekonomike dhe sociale.






