
Nga 10 prilli 2026, udhëtimet drejt vendeve të hapësirës Shengen do të kryhen me procedura të reja, pasi hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (EES), njofton Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Sistemi i ri zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrim elektronik të hyrjeve dhe daljeve për shtetasit nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë edhe qytetarët shqiptarë.
Në hyrjen e parë pas kësaj date, çdo udhëtar do t’i nënshtrohet regjistrimit biometrik në kufi, ku do të mblidhen të dhënat e pasaportës, fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Autoritetet paralajmërojnë se refuzimi për të dhënë këto të dhëna sjell automatikisht refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.
Ministria thekson se nuk kërkohet asnjë aplikim paraprak për EES, pasi regjistrimi kryhet direkt në pikën kufitare. Megjithatë, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët në aeroporte, porte dhe pika tokësore, pasi në fazën fillestare mund të ketë vonesa për shkak të procedurave të reja.
Sistemi EES do të aplikohet për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, pa ndryshuar rregullat aktuale të lëvizjes.
Ministria u bën thirrje qytetarëve që të sigurohen që pasaporta të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike, ndërsa rekomandon informim paraprak për të shmangur probleme në kufi.



