
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet nesër, më 18 shtator 2025, në orën 10:00, sipas urdhrit të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Në qendër të rendit të ditës është projektvendimi “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”, një hap kushtetues dhe procedural që i hap rrugë fillimit të mandatit të qeverisë së re.
Shumica e thjeshtë e votave mjafton për miratimin e kabinetit, ndërsa Partia Socialiste, pas Asamblesë Kombëtare dhe fjalimit të kryeministrit Edi Rama, pritet të paraqitet e konsoliduar në mbështetje të ndryshimeve që ai propozoi. Rama paralajmëroi një ekip të ridimensionuar, duke i dhënë peshë të veçantë reformave në ekonomi, drejtësi dhe integrimin europian.
Megjithatë, seanca pritet të mos kalojë pa tensione. Opozita, e drejtuar nga Sali Berisha, ka paralajmëruar debate të forta, duke e cilësuar qeverinë e re si vazhdimësi të keqqeverisjes dhe duke akuzuar mazhorancën për mungesë legjitimiteti politik. Skena e ditëve të fundit në parlament, me përplasje dhe bojkot nga ana e opozitës, lë të hapur mundësinë e një seance të ngarkuar.
Miratimi i qeverisë së re është një nga momentet kyçe të fillimit të sesionit parlamentar, që do të përcaktojë raportin e forcave politike dhe klimën e bashkëpunimit ose përplasjes në Kuvend gjatë muajve të ardhshëm.