U nënshkrua sot marrëveshja midis shoqërisë ‘TEDA Tiranë”, Bashkia Tiranë dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, për krijimin e një Data Center që do të operojë brenda zonës së Teda Tiranë.

Ky investim do të ndihmojë në konsolidimin e Shqipërisë, si një qendër rajonale për ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave, duke përmirësuar infrastrukturën digjitale dhe duke tërhequr investime të tjera në këtë sektor.

Teda Tiranë është një projekt strategjik i iniciuar nga Bashkia Tiranë, me qëllim për të nxitur investimet në teknologji dhe industri.  Zona synon të ofrojë lehtësira për investimet e huaja në sektorë strategjikë si teknologjia, industria automotive, inovacioni, prodhimi dhe industri të tjera në përputhje me legjislacionin shqiptar. Me një infrastrukturë moderne dhe kushte të favorshme për bizneset, Teda Tiranë ka potencialin të kthehet në një qendër të rëndësishme për investime, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe zhvillimin teknologjik të Shqipërisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe Kryeministri Rama, i cili tha se investimi strategjik prej miliona eurosh do të mundësojë krijimin e bazës më të madhe digjitale të rajonit. “Ky investim do të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë vajzat dhe djemtë e këtij vendi, qofshin ata që jetojnë këtu, qofshin ata që punojnë jashtë një punë të shumë mirëpaguar këtu në Tiranë.” – u shpreh mes të tjerash Kryeministri Rama në fjalën e tij.

 

* * *

 

Përshëndetje të gjithëve! Është kënaqësi e posaçme që këtu në hapësirën e Qendrës për Hapje dhe Dialog të Kryeministrisë ku kemi asistuar në firmosjen e një sërë kontratash me rëndësi strategjike për vendin të mikpresim edhe firmosjen e kësaj marrëveshjeje strategjike për Tiranën, e cila e ka zanafillën disa vite më parë në takimin prezantues të kompanisë izraelite gjatë një vizite që ne bëmë në Izrael.

Nga ana tjetër, nuk e fsheh që fakti që kompania vjen nga Izraeli është një arsye më shumë për të qenë posaçërisht të kënaqur që e mikpresim këtë marrëveshje që të firmoset këtu në këtë hapësirë. E them këtë, jo thjesht për arsye të marrëdhënieve që i kanë rrënjët në histori me popullin hebre por e them këtë duke u nisur nga fakti që historia e zhvillimit, historia e transformimit, historia e modernizimit dhe sovranitetit të Izraelit si një fuqi e madhe inovacioni dhe po ashtu ekonomie, pavarësisht territorit të vogël dhe pavarësisht numrit të vogël të popullsisë, është shëmbëlltyra më frymëzuese e faktit se dallimin mes vendeve, dallimin mes shteteve nuk e bën çfarë ke, por e bën çfarë di. Nuk e bën sa ke, por e bën sa di.

E kam sjellë shpesh në bisedat e mia shembullin e ujit. Izraeli nuk ka ujë, nuk është i bekuar nga Zoti siç jemi të bekuar ne, siç është bekuar Shqipëria që ka burimet më të pasura ujore të Europës pas Norvegjisë, por Izraeli ka sistemin më të jashtëzakonshëm të furnizimit me ujë të pijshëm dhe të ujitjes në një tokë e cila nuk është pjellore. Izraeli ka zhvilluar një nga bujqësitë më të përparuara, një nga sektorët më të përparuar të bujqësisë në botë dhe këto janë fryt i dijes, janë fryt i një procesi të thellë transformimi dhe shfrytëzimi të trurit dhe sa më shumë ne të përfitojmë nga transferimi i dijes nga Izraeli në Shqipëri aq më mirë do jetë për ne, aq më mirë do të jetë për ekonominë dhe zhvillimin e vendit tonë.

Jemi në një fazë, ku shumë gjëra jemi duke biseduar dhe jemi duke projektuar së bashku me partnerë të ndryshëm të ekselencës izraelite dhe këtu dua t’i bëj një falënderim të posaçëm ambasadores së Izraelit e cila është pa asnjë dyshim një prezencë jashtëzakonisht mbështetëse e Shqipërisë, e shqiptarëve dhe një person i dashuruar me këtë vend dhe me këtë popull.

Kjo ka një rëndësi të veçantë sepse shton energjinë dhe shton edhe forcën e një përfaqësie diplomatike për të bërë më shumë për vendin ku është.

Ne jemi duke diskutuar për një sërë marrëveshjesh strategjike që shtrihen në disa fusha por pa diskutim që çdo kontribut që ne mund të sjellim këtu nga bota e dijes së Izraelit në sektorin e teknologjisë dhe të inovacionit është mëse i mirëseardhur dhe për këtë arsye, edhe investimi që do të realizohet në zonën e lirë ekonomike të Tiranës nga kompania izraelite këtu e pranishme është një investim strategjik i një rëndësie shumë të veçantë. Bëhet fjalë për dhjetëra e dhjetëra miliona euro për të krijuar një bazë të dhënash, një bankë të dhënash digjitale e cila do të jetë në harkun e 18 muajve pas marrjes së lejes së zhvillimit baza më e madhe e të dhënave digjitale të rajonit tonë dhe do të ofrojë një platformë shumë tërheqëse për kompani të mëdha në fushën e teknologjisë digjitale dhe përkatësisht në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, përtej hapësirave të zhvillimit në funksion të industrisë dhe në funksion të administrimit tërësor të organizmit të shtetit, ky investim do të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë vajzat dhe djemtë e këtij vendi, qofshin ata që jetojnë këtu e qofshi nata që jetojnë jashtë, për të pasur një punë të shumë mirë paguar në Tiranë. Një punë të shumë mirë paguar sepse filozofia e kompanisë dhe filozofia në tërësi e kompanive që zhvillojnë këto investime dhe zhvillojnë teknologjinë digjitale nuk është gjëkundi e lidhur me koston e krahut të punës, përkundrazi, është e lidhur me cilësinë e krahut të punës dhe në këtë aspekt, pagat nuk bëjnë asnjë dallim, përkundrazi, nuk është çështja sa do të paguhet forca e punës, çështja është sa cilësore do të jetë forca e punës dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë të rejat dhe të rinjtë që janë të investuar në dije në fushën e teknologjisë.

Dua ta mbyll duke thënë që jetojmë në një kohë kapërcimi epokal në tërësi, por ama nga ana tjetër, për ne, për Shqipërinë është një bekim që të shfrytëzojmë teknologjinë digjitale, të shfrytëzojmë Inteligjencën Artificiale për të fituar kohën e pafundme që kemi humbur dhe për të ngushtuar hendekun e jashtëzakonshëm me vendet e zhvilluara në aspektin e progresit dhe falë teknologjisë, falë Inteligjencës Artificiale, ne aktualisht tani që flasim kemi në dispozicion një mjet, një instrument që e kemi krijuar vetë në bashkëpunim me Microsoft për të bërë një përshpejtim eksponencial të procesit të negociatave duke transferuar në një kohë reale të gjithë trupin e ligjeve të Bashkimit Europian që duhet të adaptohen në legjislacionin tonë dhe jo vetëm kemi garantuar me këtë instrument që kohën fizike të nevojshme që për Kroacinë që është një nga shembujt më të shkëlqyer të procesit të integrimit ishte 7 vjet ta reduktojmë brenda kornizës së vendosur bashkë me Komisionin Europian për t’i mbyllur negociatat në 2027, por edhe përmes këtij instrumenti të kemi një sërë elementesh të tjerë në dispozicion që kanë të bëjnë me analizën e impaktit të ligjeve, që kanë të bëjnë me mbivendosjet e mundshme dhe me shmangiet e tyre dhe kështu me radhë.

Ky është një moment historik për Shqipërinë në të gjithë kuptimin e fjalës sepse është hapur një dritare e një mundësie që nuk vjen dy herë për tu bërë pjesë e BE, duke shfrytëzuar një hapësirë kohore tejet të shkurtër.

Shpejtësia e procesit me të cilin ne po përparojmë në këtë kornizë është më e larta ndonjëherë krahasuar me të gjitha vendet, por jo sepse ne po e bëjmë shumë mirë detyrën, çka nuk diskutohet, por sepse Bashkimi Europian është shumë i interesuar për shpejtësi.

Është momenti historik i përputhjes së rrethanave tona të brendshme me rrethanat e sotme të BE. Janë ata po kaq të dëshiruar sa ç’jemi ne që ky proces të mbyllet dhe Shqipëria të bëhet anëtare e BE dhe ne kemi detyrimin që të mos e humbim këtë mundësi, të mos humbim asnjë ditë sepse nëse nuk e realizojmë këtë kapërcim epokal në këtë hapësirë kohore, dritarja mund të mbyllet. Shumë e thjeshtë! Dritarja mund të mbyllet dhe mund të fillojë historia nga e para, siç e kemi parë të zhvillohet kur nuk ishte kjo përputhje e interesave dhe kur pavarësisht se ne bënim detyrën tonë dilte një vend atje ose një vend tjetër dhe thoshte: jo. Pavarësisht se KE rekomandonte çeljen e negociatave me Shqipërinë, Shqipëria bllokohej nga një veto këtu nga një veto atje.

Ky është momenti kur pritshmëria shekullore e jona për t’i përkitur një herë e përgjithmonë asaj pjese të botës ku siç thoshte Naim Frashëri: dielli lind atje ku perëndon, mund të bëhet realitet.

Mund të bëhet realitet, por duhet të jemi të fokusuar dhe s’duhet të humbim asnjë ditë, jo më muaj e lëre pastaj vite të tjera dhe të gjitha këto procese dhe kjo marrëveshje janë pjesë e kësaj përpjekje dhe dua t’i falënderoj të gjithë ata që e mundësuan realizimin e kësaj marrëveshjeje.

Dua të falënderoj Bashkinë e Tiranës, dua të falënderoj kompaninë për besimin. Dua të falënderoj dhe një herë ambasadoren.

Dhe dua të falënderoj dhe të gjithë të pranishmit për prezencën dhe për vëmendjen. Rektorin e Universitetit të Tiranës që shoh që është këtu i pranishëm sepse kjo qendër të dhënash është një platformë e cila do të jetë një platformë e rëndësishme në mbështetje të të gjitha institucioneve dhe pa diskutim do të jetë një derë e hapur për shumë studentë, por dhe për fakultetet e Universitetit të Tiranës. Shumë faleminderit!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu