
TIRANË- Miqtë e 24-vjeçares palestinezes Rayan Alwan, e cila u vra në Tiranë më 22 shkurt, kanë rrëfyer se si humbën kontakt me mikeshën e tyre. Miqtë e të resë për Balkanweb kanë bërë me dije se prej më shumë se një muaji ata ishin në kërkim të 24-vjeçares me të cilën kishin humbur kontaktet.
Ata bëjnë me dije se fillimisht nëna e saj ka njoftuar se e bija ka humbur jetën në një aksident automobilistik, por se një gjë e tillë nuk është besuar prej tyre për shkak të dijenisë që kishin mbi konfliktet familjare.
“Ajo u largua nga Berlini më 19 shkurt 2025 dhe deri më 21 shkurt 2025, ne humbëm çdo kontakt me të. E kërkuam dhe kontaktuam me të gjithë të njohurit, por nuk gjetëm asnjë informacion derisa nëna e saj njoftoi vdekjen e saj më 28 mars 2025, duke pretenduar se kishte vdekur në një aksident automobilistik në Gjermani.
Megjithatë, ne nuk e besuam këtë, pasi nuk gjetëm prova se ajo ishte ende në vend. Pasi kërkova në internet, gjeta një raport policie nga autoritetet tuaja që konfirmonte se ajo ishte vrarë”, thanë ata.
Rayyan dhe Fadi Alwan mbërritën ne Rinas me datë 19 shkurt dhe u vendosën në një banesë me qira në rrugën Gjon Muzaka në kryeqytet. Sipas hetuesve Fadi Alwan pasi vrau 24-vjecaren me disa goditje thike me datë 22 shkurt, u largua nga Shqipëria në drejtim të Greqisë e prej andej në Amsterdam.
Ai dyshohet se është larguar drejt Libanit dhe deri më tani nuk është arrestuar. Trupi i pajetë i 24-vjecares u gjet nga pronarja e banesës, 5 ditë pasi autori i dyshuar ishte larguar nga vendi.
Fillimisht u raportua se bashkëshorti kishte vrarë gruan, po hetimet zbuluan se Rayyan Alwan ishte vrarë nga babai i saj. Fadi Alwan është për momentin një nga emrat e shumëkërkuar për vrasje, ndërsa policia është duke vijuar hetimet.
Ata pretendojnë se nëna e Rayyan ishte në konflikt të vazhdueshëm me të bijën për shkak të punës që kishte zgjedhur të bënte.
Nëna e 24-vjeçares sipas tyre ishte punonjëse seksi dhe kishte frikë se e bija mund t’i ekspozonte të vërtetën, raporton gazetarja Sonila Topalli.
Miqtë e viktimës kanë treguar se prindërit e 24- vjeçares kanë inskenuar gjithçka duke menduar se nëse vrasja kryhej në vendin tonë, atëherë miqtë e saj nuk do të zbulonin të vërtetën.
“Rayyan kishte pasaportë greke por nuk mund të udhëtojë nga Gjermania sepse nuk ka leje qëndrimi gjermane, vetëm status azili. Ata besuan se nëse ajo vritet atje, ne nuk do të mësonim asgjë për fatinë saj pasi shtypi gjerman nuk publikoi asgjë për lajmin. Ne e kërkojmë prej një muaji, por deri dje nuk dinim asgjë. Ishte një lajm i publikuar në BalkanWeb ai që na zbuloi fatin e mikeshës tonë”, thanë ata.
Sipas tyre, nëna e Rayyan Alwan ka njoftuar 2 ditë më parë familjen në Liban se Ryan kishte ndërruar jetë për shkak të një aksidenti automobilistik në Gjermani. Madje për këtë është publikuar edhe një artikull në mediat libaneze.
“Nëna e saj, dy ditë më parë, njoftoi familjen e saj në Liban se Ryan kishte ndërruar jetë për shkak të një aksidenti automobilistik në Gjermani. Kjo është arsyeja pse ne nisëm të dyshonim dhe nisëm të kërkonim në internet, derisa hasëm në lajmin e publikuar nga ju. Ajo po ua fsheh krimin të gjithëve, por ne kemi zbuluar të vërtetën. Thjesht duam që të gjithë ta dinë se nëna dhe babai i saj ishin ata që e vranë. Ne duam vetëm trupin e saj që ta varrosim në Berlin”, u shprehën ata.