
Nëna e ish-presidentit Hashim Thaçi, Hyrë Thaçi, ka shprehur mbështetje për marshin që pritet të mbahet më 17 shkurt në orën 14:00, në solidaritet me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përfaqësues të platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, vizituan familjen Thaçi në Burojë, ku morën mbështetje për organizimin e marshit. Në reagimin e tyre, ata e cilësuan Nënën Hyrë si simbol të sakrificës dhe dinjitetit, duke shprehur besimin se “drejtësia do të triumfojë”.
Sipas platformës, marshimi i 17 shkurtit synon të përcjellë një mesazh për drejtësi, dinjitet dhe kthimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së pranë familjeve të tyre.
Ish-krerët e UÇK-së vijojnë të përballen me proces gjyqësor në Hagë, ndërsa në Kosovë mbështetës të tyre kanë organizuar aktivitete të ndryshme solidariteti.



