Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ndikimi”, duke vënë në pranga dy shtetas të dyshuar për vjedhje në bashkëpunim dhe përfshirje në aktivitet kriminal të lidhur me lëndët narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, dyshohet se autorët, nën ndikimin e lëndëve narkotike, kanë vjedhur në një market në fshatin Arapaj, Durrës, ndërsa gjatë hetimeve rezulton se ata janë përfshirë edhe në vjedhje të tjera të mëparshme në automjete dhe dyqane.

Të arrestuar janë shtetasit A. Gj., 20 vjeç, dhe E. Xh., 22 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 18 të qytetit të Durrësit. Ata akuzohen për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga veprimet hetimore rezulton se dy të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një market në pronësi të shtetasit Sh. K., banues në Arapaj, dhe janë larguar nga vendngjarja me një automjet që drejtohej nga A. Gj.

Gjatë kapjes së tyre, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura jo vetëm nga marketi në Arapaj, por edhe objekte të tjera të dyshuara si të vjedhura më herët nga automjete dhe dyqane të ndryshme.

Po ashtu, gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. Xh., u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike kanabis, për të cilën, nga hetimet paraprake, dyshohet se ai merrej edhe me shpërndarjen e saj.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar gjithashtu:

  • automjeti me të cilin kryheshin vjedhjet,
  • 3 aparate celularë të markave të ndryshme,
  • një kaçavidë dhe një palë doreza të përdorura për vjedhje,
  • rrobat e përdorura gjatë veprimeve kriminale,
  • si dhe një shumë parash në vlerë monetare.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta dy shtetas, si dhe nga një person tjetër i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu