
Numri dy i qeverisë dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka shkuar në Kryeministri pasi GJKKO caktoi ndaj saj masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim dalje nga vendi”.
Belinda Balluku mendohet se ka shkuar në godinën qeveritare për t’u takuar me Kryeministrin Edi Rama, por ende nuk ka informacion zyrtar.
Zv.kryeministrja, zyrtarja më e pushtetshme e qeverisë Rama, është nën akuzë dy herë për shkelje të barazisë në tendera.
Gazetarja Klodiana Lala informon se përveç aferës së tunelit të Llogarasë, ku është marrë e pandehur, dyshohet edhe për abuzim me tendera për lotin 4 të Unazës së Madhe.
Gjyqtari i GJKKO, Erion Çela ka vendosur sot që Balluku të mos ushtrojë më detyrën e zv.kryeministres dhe të Ministres së Infrastrukturës.
Po ashtu ndaj Ballukut është caktuar dhe masa e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit të largimit jashtë vendit.
Kjo është hera e parë që SPAK dhe GJKKO caktojnë masa ndaj një zyrtari të lartë që është ende në detyrë.
Gjithashtu është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për dy ish-vartësit e saj, drejtorit të KESH, Erald Elezi dhe kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Ndërkohë një reagim për mediat, GJKKO shprehet se masat e sigurisë ndaj zv.kryeministres Balluku kanë karakter sekret.
Gjithashtu theksohet se do të ketë njoftim zyrtar nga ana e gjykatës në momentin e duhur procedurial.
“Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun.
Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, thuhet në reagim.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila u pezullua sot nga detyra dhe iu bllokua pasaporta për të dalë jashtë vendit, nëse nuk largohet nga postet që mban, rrezikon një masë më të ashpër sigurie.
Gazetarja Klodiana Lala pohoi se masa ndaj Ballukut i kërkon kësaj të fundit që të largohet menjëherë nga zyra e saj, në të dy postet e rëndësishme, si zëvendëskryeministre dhe si ministre e Infrastrukturës.
Ky urdhër është dhënë me pretendimin se Balluku mund të rrezikojë prishjen e provave, duke qenë afër detyrave të tyre.
“Nëse nuk e zbaton masën, prokurorët mund të kalojnë edhe në masa më të forta sigurie ndaj saj. Por duke qenë se drejton një nga ministritë më të rëndësishme e më të fuqishme, që menaxhon një pjesë të madhe të buxhetit, ka rrezik për ndikim nga ana e saj, që të mos ushtrojë ndikim edhe ndaj zyrtarëve apo në prishjen e provave”, shpjegoi gazetarja./Panorama







