Nga kjo e mërkurë, 3 korrik, vendet e Bashkimi Evropian do të jenë të detyruar të shesin vetëm shishe plastike me tapë të projektuar për të qëndruar ngjitur pas hapjes, gjë që parandalon shpërndarjen në mjedis. Italia është tashmë nën vëzhgim: Komisioni Evropian ka nisur një procedurë kundërvajtjeje ndaj vendit fqinjë, sepse nuk e ka zbatuar “plotësisht dhe saktë” direktivën për plastikën e njëpërdorimëshe.
Një ndryshim i vogël që do të ketë një ndikim pozitiv në mjedis.
Një shembull është ajo që Fondacioni Hollandez i Detit të Veriut raportoi në vitin 2016 në një raport mbi pastrimin e plazheve: ai tha se kishte mbledhur rreth dhjetë mijë tapa shishesh përgjatë bregdetit. Numri i tapave të shisheve të gjetura për kilometër plazh varionte midis 20 dhe 128: më shumë vinin nga paketimi i pijeve të konsumit. Megjithatë, që kur disa kompani filluan të prezantonin tapa të ngjitur në shishe, i njëjti fondacion mblodhi rreth tre mijë tapa shishe më pak në vitin 2022.
Sipas WWF çdo vit 22 milionë tonë mbetje plastike ndotin mjedisin detar dhe po aq në tokë. Pjesa më e madhe e saj është plastike me përdorim të vetëm. Për më tepër, aktualisht, prodhimi i plastikës është përgjegjës për afërsisht 3.7% të emetimeve globale të gazeve serrë, dhe kjo përqindje pritet të rritet në 4.5% deri në vitin 2060 nëse tendencat aktuale vazhdojnë të pakontrolluara. Sërish sipas asaj që raportohet nga WWF, plastika është sot materiali i tretë më i përhapur i krijuar nga njeriu në Tokë, pas çelikut dhe betonit. Gjatë 60 viteve të fundit, janë prodhuar mbi 8 miliardë tonë plastikë: masa (nga pesha) e të gjithë plastikës në planet është dyfishi i biomasës totale të kafshëve tokësore dhe detare së bashku.