Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë intensifikuar kontrollet në terren.
Në këtë kuadër, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër finalizuan me sukses operacionin e koduar “Befasia”, si rezultat i të cilit u godit një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi I. D., 34 vjeç, banues në fshatin Mashkullorë, njësia administrative Cepo, si dhe u procedua në gjendje të lirë nëna e tij, shtetasja V. D., 56 vjeçe, pasi në oborrin e banesës së tyre u gjetën të mbjellë në kubikë, 128 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.