
Kryeministri Edi Rama është ulur sot, 30 shtator, në tryezë me partnerët ndërkombëtarë, ku kanë diskutuar arritjet dhe sfidat e bashkëpunimit në rrafshin e mbështetjes financiare për Shqipërinë dhe projekteve zhvillimore.
Rama ndau një video nga takimi në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe koordinimit me donatorët dhe institucionet ndërkombëtare për të siguruar fonde dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit, identifikimi i mundësive të reja për investime dhe adresimi i sfidave që lidhen me menaxhimin e projekteve dhe financimin e tyre.
Kujtojmë se sipas raportit të fundit nga Banka e Shqipërisë, Turqia dhe Italia kryesojnë në investimet e huaja direkte për 6-mujorin e parë të këtij viti në vend.
Për gjysmën e parë të vitit, investimet e kompanive me kapital turk arritën vlerën e 89 milionë eurove.
Rritje të ndjeshme këtë vit kanë shënuar edhe investimet e ndërmarrjeve nga Kosova. Për 6-mujorin 2025, ato arritën vlerën e 63 milionë eurove, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /javanews