
Në Spitalin Memorial të Fierit është realizuar me sukses rikonstruksioni i ligamentit cruciat posterior (PCL Reconstruction), një ndërhyrje e kryer për herë të parë në një spital publik në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama e njoftoi lajmin duke e vlerësuar operacionin si një hap të rëndësishëm drejt standardeve të teknologjisë së avancuar në shërbimin shëndetësor.
Procedura u krye me teknologjinë artroskopike, një metodë moderne që rrit saktësinë kirurgjikale dhe ul kohën e rikuperimit për pacientët.
Pjesë e ekipit shqiptaro–turk që realizoi ndërhyrjen ishin kirurgët ortopedë Dr. Gökhan Sayer, Dr. Arsel Dizdari dhe Dr. Mehmet Ali Yayla, ndërsa ekipi anesteziologjik u drejtua nga Dr. Edison Taraj, së bashku me infermierin Renato Zeneli dhe teknikën e anestezisë Migena Danaj.
Rama u shpreh mirënjohës për ekipin mjekësor, duke nënvizuar se ky sukses shënon një arritje të re për sistemin publik të shëndetësisë në vend.




