Shtetet e Bashkuara duken pranë një sulmi të mundshëm ushtarak ndaj Iranit, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë në nivelin më të lartë të viteve të fundit. Edhe pse objektivat e mundshme janë të parashikueshme, pasojat e një goditjeje amerikane mbeten thellësisht të paqarta.

Analistët e sigurisë paraqesin disa skenarë të mundshëm, që variojnë nga një ndërhyrje e kufizuar deri te një përshkallëzim rajonal me pasoja globale.

1. Goditje kirurgjikale dhe ndryshim regjimi
SHBA mund të ndërmarrë sulme të kufizuara dhe precize ndaj objektivave ushtarake iraniane, përfshirë Gardën Revolucionare dhe programin bërthamor. Në skenarin më optimist, regjimi dobësohet dhe rrëzohet, duke hapur rrugë për një tranzicion demokratik. Megjithatë, përvoja e Irakut dhe Libisë tregon se ky skenar mbetet pak realist.

2. Regjimi mbijeton, por zbut politikat
Një tjetër mundësi është që regjimi iranian të mbijetojë, por të detyrohet të moderojë politikat e tij, të kufizojë programet raketore dhe bërthamore dhe të ulë represionin e brendshëm. Analistët e konsiderojnë këtë skenar të pamundur, duke pasur parasysh qëndrueshmërinë 47-vjeçare të Republikës Islamike.

3. Rrëzim i regjimit dhe sundim ushtarak
Skenari që shumë ekspertë e shohin si më të mundshëm është kolapsi i regjimit civil dhe marrja e pushtetit nga një qeveri ushtarake, e dominuar nga figura të Gardës Revolucionare, duke ruajtur thelbin e sistemit aktual.

4. Hakmarrje iraniane ndaj SHBA-së dhe aleatëve
Irani ka paralajmëruar se do të hakmerret ndaj çdo sulmi. Objektiva të mundshëm janë bazat amerikane në rajon, si dhe infrastruktura kritike e vendeve aleate të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

5. Minimi i Ngushticës së Hormuzit
Një nga kërcënimet më serioze për ekonominë globale është vendosja e minave detare në Ngushticën e Hormuzit, ku kalon rreth një e katërta e naftës botërore. Një veprim i tillë do të çonte në rritje të menjëhershme të çmimeve të energjisë dhe tronditje të tregjeve globale.

6. Sulm i drejtpërdrejtë ndaj një anijeje amerikane
Irani mund të tentojë një sulm asimetrik ndaj flotës amerikane në Gjirin Persik. Edhe pse pak i mundshëm, fundosja e një anijeje amerikane do të përbënte një goditje të rëndë politike dhe ushtarake për Uashingtonin.

7. Kaos dhe krizë humanitare
Skenari më i frikshëm për rajonin është rrëzimi i regjimit dhe zhytja e Iranit në kaos, konflikt të brendshëm dhe përplasje etnike, duke shkaktuar një krizë humanitare dhe refugjatësh në një vend me mbi 90 milionë banorë.

Analistët paralajmërojnë se rreziku më i madh është nisja e një konflikti pa një strategji të qartë daljeje, me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për stabilitetin global.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu