
NGA KOSTANA MORAVA
Gazetarja e njohur Kostana Morava ka publikuar një reagim të gjatë e të fortë në rrjetet sociale, ku flet hapur për krizën e thellë morale dhe profesionale që, sipas saj, ka përfshirë median shqiptare.
Në shkrimin e titulluar “Në kërkim të dinjitetit profesional në një shoqëri në rënie”, Morava tregon se, pas më shumë se 20 vitesh karrierë në media, përballet sot me një realitet krejt ndryshe, ku “dinjiteti profesional është zëvendësuar nga prostitucioni mediatik”.
“Në median e sotme, për fat të keq, modeli dominues është ai i eskortës,” – shkruan gazetarja, duke e përshkruar si një kategori vajzash dhe djemsh që “punojnë pa pagesë fare ose me një pagë nën minimalen, sepse jeta e tyre sponsorizohet nga një ‘sugar daddy’ që u siguron jo vetëm hyrjen në ekran, por edhe një jetë luksi.”
Ajo shton se “dalja në televizion nuk është më rrugë profesionale, por mjet për të krijuar rrjete klientësh”, ndërsa “imazhi publik ndërtohet përmes kirurgjisë plastike, parave dhe lidhjeve të errëta”.
Morava tregon se gjatë eksperiencave të fundit në redaksi ka parë “gara të turpshme mes vajzave për t’u thirrur nga shefat në zyrë për ‘ashtu kot’”, duke e quajtur këtë një “harem modern, ku servilizmi seksual është kthyer në kriter pune”.
“Haremet e sulltanëve janë lule përpara këtij realiteti që po ju dëshmoj,” – shkruan ajo. – “Publiku i njeh prostitutat për personazhe publike me ndikim në shoqëri.”
“Ajo që më ka tronditur më shumë është gara e turpshme që kam parë në një redaksi informative ku kam punuar së fundmi. Disa vajza ekrani garonin mes tyre për t’u thirrur nga shefi në zyrë për “ashtu kot”. Asnjëherë nuk kishte debate reale nga ky grup vajzash (jo e gjithë redaksia) për lajmet, për cilësinë e punës apo për idetë profesionale; e vetmja garë ishte kush do t’i pëlqente më shumë “sulltanit”.
Në vijim, gazetarja e njohur kritikon edhe fenomenin e “spiunazhit mediatik”, ku sipas saj “në shumë media punësohen njerëz që nuk janë aty për gazetari, por për interesa të fshehta, lidhje me shërbimet sekrete apo përkatësi në grupe të privilegjuara.”
“Në të njëjtin plan futet edhe kategoria e re e “profesionistëve” që përzgjidhen jo për aftësinë, por për përkatësinë e tyre në grupe apo rryma që sot trajtohen me privilegj, si LGBTQI, një lloj diskriminimi i përmbysur, që përdoret për të justifikuar imazhin e hapjes dhe modernitetit.
Megjithë zhgënjimin, Morava mbyll shkrimin me shpresë se “një ditë media do të pastrohet nga brenda, sepse çdo sistem i ndërtuar mbi gënjeshtrën dhe poshtërimin ka brenda vetes farën e vetëshkatërrimit.—