
Romë, 21 Prill 2025 – Menjëherë pas lajmit të ndarjes nga jeta të Papës Françesku, në të gjithë botën kanë nisur të mbahen mesha përshpirtjeje për të nderuar jetën dhe veprën e tij. Nga Vatikani deri në kishat më të vogla lokale, besimtarë dhe klerikë janë mbledhur në lutje për shpirtin e Papës.
View this post on Instagram
Mesha përshpirtjeje është një shërbesë e veçantë që Kisha Katolike organizon për të lutur për shpëtimin dhe paqen e shpirtit të të ndjerit. Në këto mesha, përdoren lutje të posaçme për faljen e mëkateve dhe për dritën e jetës së përjetshme. Në shenjë zie, shumë priftërinj kanë veshur petkat e zeza ose vjollcë, ngjyrat tradicionale të liturgjisë për të vdekurit.
Në vendlindjen e tij, Buenos Aires, Argjentinë, qindra besimtarë janë mbledhur në Katedralen Metropolitane ku Papa Françesku dikur shërbeu si Arqipeshkëv, duke ndezur qirinj dhe duke u lutur në heshtje për shpirtin e tij.
Në Romë dhe Vatikan, janë mbajtur mesha të shumta në bazilikat kryesore, ndërsa pritet që gjatë ditëve në vijim të zhvillohet masha solemne e funeralit papnor në Sheshin e Shën Pjetrit, me pjesëmarrjen e liderëve botërorë dhe qindra mijëra pelegrinësh.
Në Filipine, një nga vendet me komunitetin katolik më të madh në Azi, kishat u mbushën menjëherë me besimtarë që morën pjesë në meshë përshpirtjeje, duke falur lutje për “Atin e Shenjtë që udhëhoqi me dashuri”.
Edhe në Shqipëri, në katedralet e Shkodrës, Tiranës, Lezhës dhe qytete të tjera, u mbajtën mesha përshpirtjeje në kujtim të Papës. Ipeshkvitë shqiptarë në mesazhet e tyre theksuan mirënjohjen për përkushtimin e Papës Françesku ndaj çështjeve të paqes, dialogut ndërfetar dhe mbështetjes për komunitetet e vogla katolike.
View this post on Instagram
Papa Françesku, i njohur për përulësinë, thjeshtësinë dhe dashurinë e tij për të varfrit, ndërroi jetë mëngjesin e së hënës, duke lënë pas një trashëgimi të fuqishme shpirtërore.
Sipas njoftimeve të para nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, trupi i Papës Françesku do të vendoset për homazhe publike në Bazilikën e Shën Pjetrit të mërkurën, për disa ditë, duke u dhënë mundësi besimtarëve të nderojnë Atin e Shenjtë.