Një histori e rrallë, e thjeshtë dhe thellësisht prekëse po emocionon Shtetet e Bashkuara. Aloka, një qen dikur i braktisur, është bërë pjesë e një pelegrinazhi 3.700 kilometra për paqen, duke ecur krah për krah me 19 murgj budistë në një marshim të heshtur që ka vetëm një mesazh: paqja ndërtohet hap pas hapi.

Image

E njohur si “Walk for Peace”, nisma nisi në tetor nga Fort Worth, Texas, me destinacion Washington D.C., dhe përfshin kalimin nëpër dhjetë shtete amerikane për rreth 110 ditë. Murgjit e qendrës Huong Dao Vipassana Bhavana ecin shpesh zbathur, duke e kthyer trupin dhe lodhjen në pjesë të mesazhit shpirtëror: ngadalësia, dëgjimi dhe pranimi i kufijve janë themeli i paqes.

Në mesin e tyre, pa qenë pjesë e planit fillestar, u shfaq Aloka. I plagosur më herët nga një aksident dhe i sëmurë, murgjit u përpoqën ta mbronin duke e transportuar me automjet. Por qeni zgjodhi të zbresë dhe të vazhdojë ecjen. “Ai donte të ishte me ne. Donte të ecte”, tregojnë murgjit. Që nga ai moment, Aloka u bë shoqëruesi i heshtur dhe më besnik i marshimit.

Image

Gjatë rrugës, murgjit flenë ku gjejnë strehë, pranojnë mikpritjen e njerëzve, ndajnë ushqime dhe histori. Pa pankarta, pa fjalime, pa fushata – vetëm prani. Njerëzit ndalen, ecin me ta për disa metra, ose thjesht i vëzhgojnë në heshtje. Udhëtimi dokumentohet edhe në rrjete sociale, por ata që i shohin nga afër flasin për një përvojë që çarmatos me qetësinë e saj.

Aloka tashmë ka gjetur edhe shtëpinë e tij të re: është adoptuar zyrtarisht nga qendra budiste. Ai nuk e di çfarë është politika apo paqja globale, por di të qëndrojë, të ndjekë dhe të ndajë lodhjen pa kërkuar asgjë. Dhe pikërisht për këtë, historia e tij ka prekur kaq shumë njerëz.

Image

Në një botë të zhurmshme, ky marshim i heshtur – me një qen në krye ose në fund të rreshtit – kujton se paqja nuk është një slogan, por një zgjedhje e përditshme. Ndonjëherë njerëzore. Ndonjëherë, thjesht… me katër putra.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu