
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore, kamerat dhe aparaturat e skanimit të votave për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas medieve, në Kukës kanë mbërritur materialet zgjedhore pranë Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve, të cilat më pas do të shpërndahen në 73 qendrat e votimit të bashkisë Kukës.
Kryetari i KZAZ Kukës, Uran Cengu, thotë se pjesa më e madhe e materialeve kanë ardhur dhe në ditët në vijim priten edhe fletët me kutitë e votimit.
“Janë dorëzuar nga KQZ-ja materialet zgjedhore, si dhomat e fshehta, kamerat e qendrave të votimit. Janë 73 qendra votimi dhe nga këto janë të gjitha të dorëzuara me kamera e rekordera filmikë, edhe materialet e skanimit të GNV-ve”, thotë Cengu.
Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në bashkinë Kukës janë të regjistruar gjithsej 44.535 zgjedhës në listën përfundimtare të votuesve./atsh