Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, gjatë prezantimit të projektligjit “Për rezervat materiale të shtetit”, u kujtoi shqiptarëve se në vitin 2013, kur Partia Socialiste mori drejtimin e qeverisë, Shqipëria dispononte në rezervat e saj vetëm 85 kg sheqer dhe asnjë gram oriz apo karburant, duke theksuar gjendjen alarmante të trashëguar nga qeveria e mëparshme.

“Do të doja shumë që në sallë të ishin disa ish-ministra të vitit 2013, ndër ta edhe zoti Muli, i cili atëherë ishte Ministër i Brendshëm dhe administronte rezervat e shtetit. Le të kujtojnë qytetarët shqiptarë se kur Edi Rama dhe Partia Socialiste morën përgjegjësinë për të qeverisur vendin, Shqipëria, nën drejtimin e zotit Sali dhe zotit Muli, dispononte në rezervat e shtetit vetëm 85 kg sheqer, 30 tonë miell, 0 kg oriz, 0 kg fasule dhe 0 litra karburant. Ky ishte realiteti, të cilin shqiptarët nuk e kanë harruar,” deklaroi Balla.

Projektligji i ri, sipas ministrit Balla, përfaqëson një përditësim teknik dhe konceptual të bazës ekzistuese ligjore dhe një hap të rëndësishëm përpara në përgatitjen e shtetit për të përballuar emergjencat natyrore, teknologjike, ekonomike dhe ushtarake. Ai përmendi si faktorë që kanë ndikuar në nevojën për këtë ligj të ri pandeminë globale, luftën në Ukrainë, krizat klimatike dhe dobësimin e zinxhirëve të furnizimit global.

Sipas Ballës, ky ligj nuk është i një mandati, por një investim për gjeneratat e ardhshme, në përputhje me standardet e NATO-s, që do të garantojë reagim të shpejtë në raste krizash dhe mbrojtje për qytetarët shqiptarë.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri i bëri thirrje Kuvendit që projektligji të votohet me konsensus të plotë “përtej urdhrave politikë”, duke ftuar edhe opozitën që të mbështesë këtë nismë të rëndësishme për garantimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së vendit përballë krizave të ndryshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu