Skerdi Sina dhe Joni Sadikaj rezultonin në kërkim prej 9 janarit të këtij viti. Por duket se kjo nuk ishte shqetësuese për dy të rinjtë që lëviznin të qetë nëpër Tiranë me makinën e tyre luksoze Audi Q8.

Madje nuk ishin larguar shumë nga vendi ku muaj më parë alarmuan një lagje të tërë, në zonën e Astirit, aty ku mbajtën të ngujuar në apartament një vajzë 21-vjeçare.

Por të mërkurën, Sina e Sadikaj janë në ‘radarët’ e policisë. Siç njoftoi vetë kjo e fundit, ishte ora 16:30, kur në zonën e “Vasil Shantos”, efektivët i bënë me shenjë dy të rinjve që të ndalonin, nën dyshimin se ishin të armatosur.

Shoferi, 26-vjeçari Joni Sadikaj, nuk u ndal dhe, në tentativë për t’u arratisur, mori para tre makina të tjera. Pas kësaj, e braktisën Audin dhe u larguan të dy me vrap. Rrugës hodhën edhe një pistoletë Glock…

Ndjekja e djeshme përfundoi në arrestimin e 29-vjeçarit Skerdi Sina, të cilit, përveç pistoletës, iu gjet edhe një patentë me foton e tij, por me identitet dhe të dhëna të rreme. Kjo leje drejtimi ishte me identitetin Almo Aliaj dhe dyshohet të jetë e falsifikuar. Ndërsa brenda në makinë, policia gjeti një sasi të vogël kanabisi dhe disa celularë, që do të ekzaminohen.

Joni Sadikaj vijon të mbetet në arrati, ndërsa Skerdi Sina, tashmë në pranga, do të duhet të përballet me akuzat e reja./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu