
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin njëherësh Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka reaguar pas votimit në Parlament të ndryshimeve të reja në Kodin e Ri Zgjedhor, që lehtësojnë votën e diasporës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Balla deklaron se u hoq edhe pengesa e fundit për votën historike.
“Diasporë e dashur! U hoq edhe pengesa e fundit për votën tuaj historike. Kuvendi i Shqipërisë sapo miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor për mbulimin e shpenzimeve nga KQZ i dërgimit dhe i kthimit me postë të fletës së votimit dhe materialeve të tjera informuese; zgjerimi deri në 60 i afatit të regjistrimit të kandidatëve për të mundësuar më shumë kohë për dërgimin dhe kthimin e fletëve të votimit; për procedurën e numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë, procedurat e ankimimit, etj.
Prandaj ju lutem regjistrohuni në www.kqz.gov.al,” përfundon postimin e tij ministri Balla pas miratimit në kuvend të ndryshimeve në kodin zgjedhor me 108 vota pro, përfshi ato të opozitës e cila e kishte kushtëzuar miratimin me lejimin e dokumenteve të huaja për regjistrimin më herët.
Balla ka qenë një ndër mbështetësit më të mëdhenj dhe argumentuesit më të fortë në skenën politike shqiptare, por edhe gjatë turneut të tij në diasporë se përse duhen këto ndryshime./AIA.AL