
Në komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme u diskutua sot lidhur me disa ndryshime në Kodin Penal.
Në fjalën e tij kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi ndryshimet e propozuara nga mazhoranca synojnë dekriminalizimin shpifjes për gazetarët profesionistë, por jo për profesionistët e shpifjes.
“Puna e bërë është e lavdërueshme dhe e konfirmuar nga Komisioni Europian. Ndryshimet e propozuara nga shumica synojnë të dallojnë gazetarin profesionist nga vetëshpallja, duke dekriminalizuar shpifjen për median e regjistruar”, tha Balla.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve, theksoi në vijim Balla, është mbrojtja e publikut dhe garantimi i standardeve europiane në fushën e informimit.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Tani për të qenë korrektë, është e vërtetë që është bërë një punë e mirë e lavdërueshme nga disa kolegë dhe nga disa ekspertë.
Por puna e mirë dhe e larmishme është lidhur pikësëpari me ligjin e medias.
Ndërkohë që duhet të saktësojmë disa gjëra për të qenë korrekt me njëri-tjetrin në radhë të parë.
Sepse nganjëherë e kërkoni armikun atje ku nuk është.
Edhe kundërshtarin. Bëtë disa etiketime ndaj qeverisë për të cilat e para nuk qëndrojnë dhe e dyta, që ta dini, qeveria dhe mazhoranca këtu në këtë tavolinë janë një, nuk janë dy parti të ndryshme dhe vini këtu sulmoni qeverinë me idenë se mund të besoni që ne do të mbajmë krahun tuaj kundër qeverisë.
Që s’ bën sens?
Tani të sqarojmë gjërat një për një që të jemi korrekt me publikun. Në propozimet e zonjës Tabaku, 237–238-a jemi dakord se janë njëlloj me ato që ka sjellë qeveria.
Pra.
Çfarë do bëjmë këtu, nëse doni kur të shkojmë në seancë plenare të themi sipas propozimit të qeverisë dhe propozimit të zonjës Tabaku.
Ju, unë ju respektoj shumë dhe e vlerësoj shumë, edhe kur keni qenë kryetare e këtij komisioni.
Unë, sa të jem personalisht, flas këtu jo si kryetar i grupit, unë nen të fyerjes nga Kodi Penal nuk heq.
Për mua fyerja është një vepër penale. Për fat të mirë edhe pse unë do doja të ishte më e ashpër në Republikën e Shqipërisë, fyerja nuk dënohet me burg, por me gjobë.
Dhe e vërteta është që kam qenë një prej njerëzve mbështetës që në 2008, zonja Tabaku, kur i kam votuar me bindje të plotë shpërndarja e materialeve raciste, ksenofobe në sistemet kompjuterike, sa kishte filluar ky muhabet i internetit dhe rrjeteve sociale në atë kohë, nëse ju më ftoni që t’i fshij ato, nuk e bëj dot.
Fyerja me motive raciste, ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik.
Po ta përsëris. Ka qenë një prej gjërave që kemi shtuar. Tani ta lëmë këtë pjesë, sepse për fyerjen nuk ka asnjë vend europian që të mos ta ketë në Kod Penal.
Ju më thoni ta heq, tani shkojmë te 120-a që të jemi transparent me publikun.
Besoj na ndjek publiku. Sa i përket 120-ës, që është shpifja.
Për shpifjen, zonja Tabaku, më vjen keq për një pjesë. Sa i përket gazetarëve, varianti që ka ardhur e ka dekriminalizuar plotësisht, por…
Këtu pastaj duhet të ndajmë ca janë gazetarë: Kush janë gazetarët?
Tani.
Po vure një bexh dhe vetëshpallesh gazetar, në asnjë vend të Europës nuk je gazetar.
Dhe është shtuar paragrafi, dhe ju lutem ndiqeni fjalë për fjalë, në atë që ka bërë në një zgjidhje tepër të mirë qeveria.
Dhe që më vjen keq ta kundërshtoj zonja Tabaku edhe kjo që po lexoj unë është konfirmuar 100 për qind nga Komisioni Europian.
Një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pavarësisht se si apo vendi ku e ushtron aktivitetin, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes.
Sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave, thënieve, të çdo informacioni tjetër përmes shtypit, mediave audiovizive,medias elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik, kur: 1, qëllimi kryesor është informimi i publikut mbi çështje me interes të përgjithshëm; 2, në momentin e publikimit ai nuk ka dhe, në rrethana konkrete, në mënyrë të arsyeshme nuk kishte dijeni se të dhënat apo informacionet faktike janë të rreme dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tyre; dhe,
pasi të jetë informuar nga personi i tretë, pra personi i prekur, ose autoritetet kompetente, se të dhënat apo informacionet faktike janë haptazi të rreme ose qartazi të pasakta, ai vepron pa vonesë për të bërë një përgënjeshtrim ose sqarim, ose për t’i hequr ato, për ta çaktivizuar aksesin në to.
Për qëllimet e këtij neni, përhapja me mirëbesim do të thotë përhapje që plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin e tretë dhe kryhet bëhet në përputhje me rregullat etike profesionale të gazetarisë mbi baza faktike të arsyeshme. Vlerësimet, opinionet, komentet kritike dhe interpretimet, edhe kur janë therëse, të ekzagjeruara ose fyese, nuk konsiderohen shpifje në kuptim të këtij neni, përveç nëse përmbajnë shprehimisht ose të nënkuptuara pretendime, fakte, të dhëna apo informacione objektivisht të rreme.
Tani problemin që unë mendoj që e keni ju, dhe lexova edhe disa shoqata sot.
Problemi ka të bëjë me çdo të thotë i punësuar, të vetëpunësuar, të regjistruar dhe të njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Këtë gjë, unë mendoj që gazetarët e kanë shumë të thjeshtë.
Ata duhet të organizohen dhe bujrum.
Komisioni juaj i nderuar.
Të hartojë bashkë me gazetarët ligjin për profesionin e rregulluar të gazetarit dhe punonjësit të medias dhe aty të jetë të gjitha se si regjistrohet.
Sa i përket figurës së veprës penale, duhet të garantoj sot çdo gazetar që funksionon si i tillë në Republikën e Shqipërisë, që në këtë koncept nuk ka më vepër penale për shpifje për gazetarin, kur gazetari është realisht gazetar, jo kur gazetari e vetëshpall veten gazetar, me një bexh këtu e thotë “unë jam gazetar”.
Dhe ka një gjë, dhe po jua them nga eksperienca personale. E nderuara kolege Tabaku e theksoj respektin.
Kam pasur një rast personal. U bë një lajm. U bënë të gjitha njoftimet e të gjitha institucioneve përkatëse. Rezultoi që lajmi ishte i rremë. Dhe përgjigja e mediave në atë kohë, një komunikim institucional me email: “ju lutem, e keni verifikuar?”.
Po, jemi të sigurt që lajmi është i rremë. Por ne nuk e heqim dot lajmin e rremë, se kemi marrë shumë klikime.
Prandaj nisma. Dhe unë ju mbështes. Mendoj që ne do të kemi shumë punë për këtë gjë dhe komisioni juaj do të ketë shumë punë për këtë gjë. Kjo nuk rregullohet as këtu. tani për të sqaruar pozicionin që u tha edhe nga relatori në rastin në fjalë, ajo që kemi marrë nga qeveria është dokumenti që ka marrë dhe në vlerësimin tonë, konfirmimin nga Brukseli për këtë hap që do të hedhim. Kemi gjithë dëshirën e mirë që nën udhëheqjen e komisionit tuaj dhe dy kryetarëve e nënkryetarëve aty të vazhdojmë të le të themi, të hulumtojmë edhe më shumë.
Edhe pse personalisht, në përfundim të kësaj ndërhyrjeje, dua që për efekt të referencës së diskutimeve në këtë komision të nderuar, që dikur e keni drejtuar ju me shumë profesionalizëm, e theksoj, t’ju kujtoj se ndër vendet e Bashkimit Europian që vazhdojnë ta mbajnë shpifjen si vepër penale janë: Austria, Belgjika, Bullgaria,
Kroacia,Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia,
Lituania, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia.
Ato që e kanë hequr janë vetëm Qipro, Estonia, Irlanda.
Rumania është gjysmë për gjysmë.
Kaq.
Tani dua që të jemi korrekt, se na sheh publiku dhe na gjykon.
Megjithatë, një gjë ta them, se edhe gazetarët që bëjnë punë të shkëlqyer, të lodhshme gjithë ditën, ndoshta nuk gjejnë kohë për t’i lexuar.
Edhe kur bëj këto deklarata, është një hap i madh ndryshimi që ka sjellë qeveria.
Sepse e ndan shpifësin profesionist nga shpifësi amator; shpifësit profesionist i tregon vendin, shpifësin amator e ndan.
Dhe e vërteta është që me ndryshimin që për gazetarët, në momentin që është i organizuar, në momentin që njihet me profesion gazetar, pra punon në një media të regjistruar, i organizuar në shoqata të tjera përjashtohet për çdo rast, por ama një gjë duhet ta bëjmë të gjithë.
Dhe jam zotuar për këtë gjë që, si kryetar i këtij grupi parlamentar të shumicës, të bëjmë një gjë, jo për ne, por për gjithë qytetarët që bien target dhe shënjestër e një lajmi të rremë.
Dhe këtu besoj që ka dakordësi nga ana juaj që duhet t’i gjejmë, duhet t’i japim një zgjidhje kësaj.
Faleminderit, kryetar, ndjesë që u zgjata.






