Ndërsa një valë e re të nxehti ka goditur Evropën, një studim i fundit ka zbuluar se disa nga vendet më të mëdha të kontinentit kanë pësuar humbjet më të mëdha ekonomike gjatë shekullit të XXI-të për shkak të fatkeqësive natyrore dhe ndryshimeve klimatike.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), vendet si Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja kanë pësuar humbje të konsiderueshme ekonomike që arrijnë në qindra miliarda euro, duke theksuar rëndësinë e përballimit të sfidave klimatike në rajon.

Në periudhën 1980–2023, Evropa ka përjetuar më shumë se 790 miliardë euro humbje ekonomike të shkaktuara nga ngjarje ekstreme të motit dhe fenomene klimatike.

Nga këto humbje, Gjermania kryeson me rreth 180 miliardë euro, duke u renditur si vendi me humbjet më të mëdha totale, transmeton Telegrafi.

Italia dhe Franca pasojnë me 135 dhe 130 miliardë euro, ndërsa Spanja ka regjistruar humbje prej 97 miliardë euro, shkruan euronews.

Megjithatë, nëse analizohen vetëm humbjet e shekullit të XXI-të, fotografia ndryshon pak.

Pas vendeve kryesore, gjashtë shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian – Austri, Belgjika, Çekia, Portugalia, Rumania dhe Sllovenia – kanë pësuar humbje ekonomike relativisht të ngjashme, që ndryshojnë midis 12 dhe 15 miliardë euro. Kjo tregon se sfidat klimatike po përhapen në mënyrë më të barabartë në të gjithë rajonin.

Sipas Panelit Ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (IPCC), intensiteti dhe frekuenca e fenomeneve klimatike ekstreme, si përmbytjet dhe valët e nxehtësisë, janë rritur në disa rajone evropiane dhe parashikohet që këto fenomene të vazhdojnë të shtohen me përkeqësimin e ngrohjes globale.

Këto ngjarje kanë qenë shkaktarët kryesorë të dëmeve ekonomike në të gjithë Bashkimin Evropian.

Edhe pse humbjet në vendet më të pasura dhe të zhvilluara duken të mëdha, ato zakonisht kanë një ndikim më të vogël në ekonominë e tyre kombëtare sesa humbjet më të vogla që pësojnë vendet më të varfra dhe më pak të zhvilluara.

Vendet më të pasura kanë më shumë mjete për t’u rikuperuar dhe ndajnë më pak nga buxhetet e tyre publike për rimëkëmbjen nga katastrofat natyrore.

Në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, vende si Sllovenia, Belgjika dhe Gjermania përjetojnë humbje më të mëdha për kilometër katror, ndërsa vendet në Evropën Lindore dhe Veriut, përfshirë Finlandën dhe Estoninë, vuajnë më pak nga dëmet financiare.

Sllovenia ka regjistruar humbjet më të mëdha për frymë, duke arritur në 8,733 euro për banor gjatë periudhës 1980–2023, ndjekur nga Luksemburgu, Zvicra, Italia dhe Spanja.

Në anën tjetër, vendet me humbjet më të ulëta për kokë banori janë Kosova me vetëm 10 euro, Mali i Zi me 41 euro dhe Islanda me 87 euro.

Raporti i EEA-së thekson se humbjet për frymë ndryshojnë më pak se humbjet për kilometër katror dhe shumë vende kanë vlera të ngjashme në këtë aspekt.

Sa i përket sigurimit ndaj rreziqeve klimatike, shumica e vendeve evropiane kanë zhvilluar sisteme private të sigurimeve për mbrojtje kundër rreziqeve natyrore të lidhura me klimën.

Këto sigurime mbulojnë individët, familjet, kompanitë, institucionet dhe qeveritë, duke u siguruar pagesa të shpejta pas ngjarjeve katastrofike dhe duke ndihmuar në rimëkëmbjen e shpejtë të të prekurve.

Mesatarja e humbjeve të sigurimit në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian është rritur nga 2.5 miliardë euro në vitin 2009 në 4 miliardë euro në vitin 2023, duke reflektuar rritjen e ndërgjegjësimit dhe nevojën për mbrojtje më të madhe ndaj fatkeqësive natyrore.

Franca dhe Spanja kanë ndërtuar sisteme kombëtare sigurimi që operojnë nëpërmjet partneriteteve publike-private, por megjithatë, të paktën 16 vende të BE-së vazhdojnë të kenë një hendek mbrojtjeje të sigurimit mbi 90 për qind.

Vetëm Danimarka ka arritur të sigurojë mbulim për më shumë se 50 për qind të humbjeve të saj ekonomike nga fatkeqësitë natyrore, duke treguar një nivel më të lartë të përgatitjes dhe mbrojtjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Kjo tregon se ende ka shumë për të bërë në nivel evropian për të përmirësuar mbrojtjen financiare dhe rezistencën ndaj sfidave që sjell klima në dekadat e ardhshme. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu