Gjykata e Elbasanit ka vendosur lirimin e 16 personave të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Metalurgjiku”, duke e cilësuar të paligjshëm arrestimin e tyre.

Seanca gjyqësore zgjati më shumë se 7 orë, për shkak të numrit të madh të personave të shoqëruar, si edhe pranisë së 9 shtetasve të huaj, për të cilët u deshën përkthyes të licencuar.

Operacioni u zhvillua pas ankesave të banorëve të zonës së Bradasheshit, të cilët denoncuan ndotje të vazhdueshme të mjedisit. Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Elbasanit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, zbuluan shkelje serioze të legjislacionit mjedisor nga dy subjekte që ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut: GSA Ferrokrom dhe CC ALB, të lidhura me prodhimin e ferrokromit dhe ferrolezhëve.

Nga kontrollet në terren rezultoi se kompania GSA Ferrokrom nuk trajtonte dhe nuk dërgonte mbetjet e hirit nga sistemi i pluhurkapjes pranë operatorëve të licencuar, ndërsa CC ALB nuk respektonte kriteret ligjore për riciklimin dhe asgjësimin e mbetjeve të baterive.

Për këto shkelje, autoriteteve iu desh të pezullojnë aktivitetin e të dy kompanive, të administruara nga Ilir Londo dhe Ergis Flaga, si dhe t’i gjobisin ato me 10 milionë dhe 3 milionë lekë të rinj.

Në kuadër të operacionit u arrestuan, përveç administratorëve, edhe drejtorë prodhimi, inxhinierë dhe drejtues teknikë, përgjegjës turni, operatorë furrash dhe punëtorë.

Nën përgjegjësi penale u vendos edhe shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, i akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu