
Spektakël i vërtetë në “Olimpico”, ku Roma dhe Juventusi barazuan 3-3 pas një përballjeje dramatike me përmbysje dhe emocione deri në sekondat e fundit.
Roma kaloi në avantazh në minutën e 39’ me Ueslin, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi minimale. Në fillim të fraksionit të dytë, Juventusi reagoi menjëherë me Konseisaon në minutën e 47’, duke rikthyer baraspeshën.
Ndika riktheu avantazhin për verdhekuqtë në minutën e 54’, ndërsa Malen thelloi shifrat në 3-1 në të 65-ën, duke dhënë përshtypjen se Roma po shkonte drejt një fitoreje të sigurt.
Por bardhezinjtë nuk u dorëzuan. Në minutën e 78’, Boga ngushtoi diferencën dhe i dha shpresë Juventusit. Kur gjithçka dukej e mbyllur, në minutën e 90’+3’, Gati shënoi golin e barazimit, duke “rrëmbyer” një pikë në frymën e fundit dhe duke heshtur për pak çaste stadiumin.
Ndeshja u karakterizua nga ritëm i lartë, raste të shumta dhe kthesa të shpejta në rezultat, duke e bërë një nga përballjet më spektakolare të sezonit.
### Golat:
* 39′ Uesli
* 47′ Konseisao
* 54′ Ndika
* 65′ Malen
* 78′ Boga
* 90’+3′ Gati






