Administratori i një subjekti në Voskopojë është arrestuar nga policia këtë të shtunë, më 12 korrik, pas akuzave se kishte ndërtuar pa leje. Ky rast ka çuar jo vetëm në arrestimin e tij, por dhe në procedimin penal të dy inspektorëve të IMT-së si dhe pezullimin dhe hetimin disiplinor të disa efektivëve të Policië. Administratori i subjektit privat, Ibrahim Kruja, banues në Tiranë akuzohet se kishte ndërtuar disa bazamente betoni, me qëllim për të ngritur godina më pas.

“Në zbatim të detyrave të dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për kontroll të imtësishëm të territorit me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, bazuar në informacion të siguruar në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin I. K., 63 vjeç, administrator i një subjekti privat. Ky shtetas dyshohet se kishte ndërtuar pa leje disa bazamente betoni në aksin rrugor Korçë–Voskopojë, me qëllim ndërtimin e godinave, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës.”– ka bërë me dije Policia.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht kryeinspektori dhe inspektori i IMT-së në Bashkinë e Korçës: Idlir Lemillari, 54-vjeç dhe Emil Kafexhiu, 36-vjeç. Këta dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer kontrollet përkatëse dhe duke mos njoftuar Policinë në kohën e duhur.

Po ashtu, ky rast i ka kushtuar rëndë dhe disa efektivëve të Policisë. Pasi në vijim të veprimeve, janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Inspektorin me iniciale A. B., me detyrë ndihmës/specialist i rendit (SPZ) dhe nënkomisarin me inicialet E. P., me detyrë specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.

Njëkohësisht ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për nënkomisarin me inicialet P. B., me detyrë koordinator i ndihmës/specialistëve të rendit në zonë./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu