Londër – Shkrimtarja e njohur britanike Sophie Kinsella, autore e serisë bestseller “Shopaholic”, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare, ka konfirmuar familja e saj.

Sipas njoftimit, Kinsella – emri i vërtetë i së cilës ishte Madeleine Sophie Wickham – vuante prej vitit 2022 nga një formë agresive e kancerit në tru. Lajmi për ndarjen e saj nga jeta u bë publik përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.

“Jemi zemërthyer të njoftojmë se Sophie jonë e dashur u nda nga jeta këtë mëngjes”, thuhet në deklaratën e familjes, e cila ka falënderuar lexuesit dhe ndjekësit për mbështetjen dhe dashurinë e treguar ndër vite.

Sophie Kinsella ishte një nga autoret më të lexuara të letërsisë romantike dhe humoristike, e njohur në mbarë botën për personazhin ikonë Becky Bloomwood dhe për stilin e saj të lehtë, ironik dhe emocional. Librat e saj janë përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe kanë shitur miliona kopje në rang global.

Vdekja e saj ka ngjallur reagime të shumta në botën letrare dhe mes lexuesve, të cilët e kujtojnë si një shkrimtare që solli buzëqeshje dhe ngrohtësi në jetën e miliona njerëzve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu