
Londër (AP) – Këngëtari dhe kantautori britanik Chris Rea, i njohur në mbarë botën për hitin legjendar Driving Home for Christmas, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare. Lajmi u konfirmua këtë të hënë nga familja e tij, përmes një deklarate për agjencinë britanike Press Association.
Sipas familjarëve, Rea ndërroi jetë në spital pas një sëmundjeje të shkurtër. Ai u bë një nga emrat më të njohur të muzikës britanike në vitet ’80, me këngë që patën sukses të madh si Fool (If You Think It’s Over) dhe Let’s Dance. E paharrueshme edhe Looking for the summer.
Dy nga albumet e tij më të famshme, The Road to Hell dhe Auberge, arritën vendin e parë në klasifikimet muzikore në Mbretërinë e Bashkuar, duke e konsoliduar Chris Rea si një nga artistët më të dashur të asaj periudhe.
Edhe pse “Driving Home for Christmas” nuk pati sukses të menjëhershëm kur u publikua në vitin 1986, kënga u shndërrua me kalimin e viteve në një himn të festave të fundvitit dhe mbetet një nga këngët më të pëlqyera të Krishtlindjeve në Britani. Vetëm këtë vit, ajo u përdor në një reklamë televizive të rrjetit të njohur Marks and Spencer.
Chris Rea lindi në vitin 1951 në Middlesbrough, në verilindje të Anglisë, nga një baba italian dhe një nënë irlandeze. Pas përfundimit të shkollës, ai ushtroi profesione të ndryshme dhe ndihmoi familjen në biznesin e tyre të akullores. Kitarën e mori relativisht vonë, në moshën 21-vjeçare, duke luajtur fillimisht në grupe muzikore përpara se të niste karrierën solo.
Gjatë viteve, Rea vuajti nga probleme serioze shëndetësore, përfshirë kancerin e pankreasit, ndërsa në vitin 2016 pësoi edhe një goditje në tru. Në vitet e fundit të jetës, ai iu largua muzikës pop dhe publikoi disa albume me ndikim të fortë blues.
Chris Rea lë pas bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, ndërsa trashëgimia e tij muzikore mbetet e paharrueshme për miliona adhurues në mbarë botën.




