Shkrimtari fitues i Çmimit Nobel, Mario Vargas Llosa ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare në Lima të Perusë, raporton Corriere della Sera. Ai kishte mbushur 89 vjeç më 28 mars. Lajmin e bëri të ditur djali i tij, Alvaro Vargas Llosa në rrjete sociale.

“Me dhimbje të thellë, ju njoftojmë se babai ynë, Mario Vargas Llosa, vdiq sot në Lima, i rrethuar nga familja dhe në paqe”, ka shkruar djali i tij.

Sipas dëshirës së familjes, varrimi do të bëhet privatisht dhe sipas amanetit të tij do t’i digjen eshtrat.

Shkrimtari dhe dramaturgu peruan konsiderohej si një nga romancierët dhe eseistët më të mëdhenj bashkëkohorë. Përveç Çmimit Nobel në vitin 2010, ai ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë edhe një çmim të rëndësishëm në vitin 1994. Ndër romanet e tij më të famshme janë: “Qyteti dhe Qentë” (1963), “Shtëpia e Gjelbër” (1966), “Biseda në Katedralen” (1975).

Vargas Llosa u kthye për të jetuar në Lima në vitin 2022, pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Evropë që nga viti 1990, kur ai kandidoi në zgjedhjet presidenciale të Perusë si kandidat i një koalicioni të qendrës së djathtë.

Një nga zërat më domethënës në letërsinë e Amerikës së Jugut, ai arriti famë me romanet realiste “Qyteti dhe Qentë”, një përshkrim brutal dhe realist (pjesërisht autobiografik) i jetës në kolegjin ushtarak të Limës, dhe “Shtëpia e Gjelbër”, një roman i vendosur në një bordello në provincën peruane.

Në vitin 2010, ai u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi “për hartografinë e tij të strukturave të pushtetit dhe imazhet e tij të mprehta të rezistencës, revoltës dhe disfatës individuale”.

Romanet e tij të mëvonshme karakterizohen nga një vështrim i thellë në marrëdhënien midis realitetit dhe trillimit, në të cilat erotizmi ishte shpesh një nga motivet më mbizotëruese. Prodhimi i tij teatror ishte gjithashtu i bollshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu