Katër ditë pas atentatit në Dobraç të Shkodrës, ka humbur jetën edhe kalimtari Bashkim Basha. 67-vjeçari ishte në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës, por nuk u mbijetoi dot plagëve të marra, ndërkohë që më 30 tetor humbi jetën edhe bashkëshortja e tij Flutura Basha.
Dy viktimat e pafajshme të këtij atentati kriminal, po udhëtonin me motot në momentin kur u qëllua me breshëri kallashi në drejtim të makinës së Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Më pas mjeti i tyre u përplas me motorin e çiftit Basha., të cilët humbën jetën, ndërsa ishin prindër të një vajze dhe një djali. Me vdekjen e 67-vjeçarit ka shkuar në 4 numri i viktimave nga atentati në Dobraç të Shkodrës më 30 tetor.
“Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi Bashkim Basha, 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
Si ndodhi atentati në Shkodër?
23-vjecari Hamza Lici dhe miku i tij Arlind Bushati 32 vjeç lëviznin me automjet në zonën që konsiderohet “bastion” i fisit të Bajrave në Dobraç. Atentatorët, ende të paidentifikuar, i dolën paralel dhe lëshuan breshëri plumbash, duke i lënë të dy të pajetë. Makina humbi kontrollin, dhe përplasi motoçikletën e bashkëshortëve Basha, të cilët humbën jetën.
Personi i tretë që dyshohet të ketë qenë në makinën që drejtohej nga Hamza Lici, në videon amatore të filmuar menjëherë pas ngjarjes, ende nuk është provuar nga policia nëse është Ibrahim Lici, vëllai në kërkim i të ndjerit në atetntat.
Asnjë gjurmë nga autorët
Grupi hetimor po punon për gjurmuar para atentatit makinën “Range Rover Sport” të cilën autorët e shkrumbuan pa lënë asnjë gjurmë pas ngjarjes. Hetuesit janë përqendruar në marrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, duke zgjeruar rrezen e kërkimit brenda qytetit dhe lagjet periferike, përshirë “Kirasin” dhe bypass-in e qytetit.
NdërkohëIzmir Sakicaj, 23 vjeç, dhe Samuel Troshani, 24 vjeç, po kërkohen nga Policia e Shkodrës. Burime pranë grupit hetimor thonë se bashkë me ta, janë në kërkim edhe anëtarë të tjerë të grupit të Bajrajve, pasi dyshohen se mund të kenë qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorëve, por deri tani nuk janë gjetur./shqiptarja