
Nga
Mentor Kikia
Nuk është vetëm shembja e trasesë së vjetër e të re të Korridorit VIII, që ka bllokuar rrugën për në Korçë. 12 kilometra para zonës ku është shënuar rrëshqitja masive, ka ndodhur edhe kjo që tregon kjo foto.(Marrë nga faqja Armand Bajrami, vendi: Pranë kthesave të Murrashit).
Këtu nuk ka rrëshqitur as traseja, as mali. Thjeshtë, lumi ka marrë muret mbrojtëse, pastaj edhe urën dhe trasenë e hekurudhës. Por, vetëm 50 metra më lart është traseja e rrugës dhe lumit tani i mjaftojnë vetëm disa stinë me reshje që të mbërrijë tek rruga.
Mos harroni: Kjo hekurudhë këtu(Librazhd – Prrenjas) është përuruar në Mars 1974. Eshtë shembur tani, pas plot 52 vjetësh.

Dhe shkaku është vetëm një: Gërryerja e lumit. Marrja e inerteve pa asnjë kriter, në mënyrë barbare në raport me mjedisin, ka ulur nivelin e shtratit dhe kjo ka bërë që barrierat/muret mbrojtëse të bien, si të ishin në ajër.
Kjo ka ndodhur që nga Rrogozhina. Ulja e nivelit të shtratit nxjerr jashtë loje kanalet ujitëse dhe veprat mbrojtëse kundër erozionit. Supozohet se janë të paktën 5 milion metër kub inerte që janë marrë në më pak se 2 vjet.
Nuk mjafton një copë letër që quhet “Leje shfrytëzimi” që të justifikojë barbarinë mbi një mjedis natyror. Natyra njësoj shkatërrohet, si me leje si pa leje.
Lumi nuk është një mal me zhavorr që thjeshtë duhet ngarkuar. Ai është një organizëm i gjallë, që nëse e shfrytëzon përtej asaj që ai mund të mbajë, të hakmerret me pasoja një mijë fish të rënda. Fotoja 2 tregon çarjen e një argjinature që ka disa dekada që është ndërtuar, pikërisht javën që kaloi, në zonën Labinot-Fushë në Elbasan, duke kërcënuar 200 shtëpi.
Shfrytëzimi po kaq barbar i përroit të madh në Papër, po shkatërron edhe të vetmen rrugë rurale që lidh nja 3-4 fshatra, si dhe ka bërë që të thahet çdo pikë ujë për ujitje e të shterojnë edhe puset që furnizonin banorët.
Inxhinierët duhet të flasin. Eskpertët e mjedisit duhet të flasin. Tej çdo nuance politike, njerëzit e shkencës duhet të thonë fjalën e tyre. Nuk zgjidhet kjo punë nëpër studio televizive me panele 2 pro e 2 kundër.
P.S: Ndërkohë ne flasim edhe për Korridor Hekurudhor që do të lidhet me rrjetin ballkanik nga Maqedonia. Ku do të kalojë treni, në këtë linjë?





